RajoniTop Lajme

Për arsye shëndetësore Hashim Thaçi nuk mori pjesë fizikisht në seancën gjyqësore ndaj tij dhe të tjerëve

Shpërndaje

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, i pandehuri Hashim Thaçi nuk ka marrë pjesë në seancën gjyqësore të mbajtur më 18.02.2025.

Kjo pasi siç njoftoi kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, është njoftuar se Thaçi nuk është mirë me shëndet.

Kurse avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, me të filluar seanca gjyqësore tha se është njoftuar nga Sekretariati se Thaçi nuk do të jetë prezent në seancë dhe se nuk di diçka më shumë.

“As unë nuk kam asnjë informacion. Sekretarja e seancës më njoftoi që klienti nuk ndjehej mirë dhe që nuk mund të merrte pjesë në seancën e sotme”- ka deklaruar avokati i Thaçit.

Lidhur me këtë çështje, avokati Mishetiq deklaroi se nuk është konsultuar me klientin e tij kur u pyet nga gjyqtari Smith lidhur me mundësinë e vazhdimit të seancës pa praninë e tij.

Pas kësaj, gjyqtari mori një kohë për pauzë me qëllim që t’i mundësoj një konsultë avokatit Luka Mishetiq dhe të akuzuarit, Hashim Thaçi.

Të pranishëm në sallë të gjykatës ishin tre të akuzuarit e tjerë.

Aktakuza

Sipas aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesëtarë të UÇK-së, gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, prokurori Xhek Smith, i ngarkoi Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin edhe me akuzën se të njëjtit ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.

Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.

Pjesë e aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërsië. Sipas Prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë, në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtarët e UÇK-së, ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë net rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona dhe se disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë, ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc. Sipas Prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë. Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civilë ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së e më pas ishin qëlluar dhe vrarë.

Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe “qendrën e paraburgimit” në Kleçkë.

Në këtë lokacion sipas Prokurorit të Specializuar gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.

Një tjetër person sipas aktakuzës kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.

Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec. Ata, sipas aktakuzës, ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërmendura sipas Prokurorit të Specializuar është përgjegjësia komanduese.

Më 06.12.2024, Gjykata Speciale ka njoftuar për një aktakuzë të re kundër Hashim Thaçit.

Për aktakuzën e re Hashim Thaçi është deklaruar se nuk e pranon fajsinë.