Përmbaruesit “vjelën” €160,6 mln në 2024! Për 19 vite ata arkëtuan 2,1 miliard euro
Po patët një borxh të vjetër deri 10 vite, ka shumë të ngjarë që jeni në dosjen e njërit nga përmbaruesit. Duke nisur nga kreditori, ose atyre që qytetarët iu kanë borxhe, bie fjala për faturat e pa paguara të energjisë elektrike, të ujit, tapive të pronave, taksave të shtetit ose borxhe të tjera, përmbaruesit nuk lënë “gurë” pa lëvizur deri tek ekzekutimi i marrjes së parave nga borxhlinjtë, për t’ia kthyer kreditorit, e një tarifë goxha të majme edhe për vete.
“Me fjalë të përmbaruesit, më tha kur ta mbarosh me mua, atëherë vazhdon me ata tjerët vazhdon tu kthesh borxhin, por kjo doli e kundërta”, tha Nuri Selimi, pensionist.
Shumica prej tyre tani më e kanë ndjerë në lëkurë të tyre, duke pasur punë me Përmbaruesit, të cilët për një borxh të vogël kanë paguar shuma të majme parash. Përmbaruesit çdo vit pranojnë mesatarisht nga 150 mijë lëndë. Vitin e kaluar kjo shifër ishte e rritur duke arkëtuar 160,6 milionë euro, pasi Gjykata Kushtetuese shtyu afatin e vjetërsimit të lëndëve, pas ankesave të kreditorëve për humbje.
“Numrat tregojnë që gjatë vitit 2024, në të gjitha 96 zyrat e përmbarimit, aq sa jemi gjithsej përmbarues në shtet, janë pranuar 167 mijë lëndë. Mund ta them edhe atë gjithsej se janë paguar 160,600,000 euro”, deklaroi Vesna Dellovska.
Shoqata të ndryshme kanë organizuar protesta për heqjen e tyre, por gjëja e vetme që kanë arritur është që kamat-vonesat dhe tarifat tjera mos të kalojnë koston e borxhit fillestar.
“Nga 60 denarë (parkingu i qytetit) borxhi iu ka rritur në 18,400 denarë qytetarit. Njerëz, kjo është totalisht një plaçkë, një hajni e pastër! Prandaj ne tani duhet ti theksojmë edhe avokatët dhe noterët si pjesëmarrës. Ne nuk dorëzohemi si shoqatë dhe sindikatë! Presim takim me qeverinë e re, kemi kërkuar takim edhe me Presidenten e shtetit. Kësaj duhet patjetër ti vijë fundi! Nëse duan, ka zgjidhje”, tha Marjan Risteski.
Për 19 vite përmbaruesit kanë proceduar 2 milionë e 100 mijë lëndë, që i bie të jetë më shumë se numri i përgjithshëm i popullsisë sonë rezidente bashkë me diasporën.
“Përmbaruesit, është një term që sjell ankth te qytetarët! Ndonëse në Gjykatën Kushtetuese njëherë u mor një vendim që të kufizohet afati kohorë dhe të vjetërsohen lëndët, tani me shfuqizimin e atij vendimi sërish është kthyer makthi te qytetarët dhe në mënyrë retro-aktive po u kthehen borxhet e kamotshme, pothuajse dekadëshe, të cilat madje edhe i kanë harruar qytetarët dhe tani vetëm se kur ju troket përmbaruesi në derë.”
Nga Oda e Avokatëve kishin rezervat e tyre. Ata thonë se borxhlinjtë më të vështirë janë personat juridik. Por, Përmbaruesit thonë nëse nuk doni të na shihni në derë, likuidoni borxhet tuaja me kohë, duke mos pyetur për gjendjen financiare as edhe të kategorive më të rrezikuara të shoqërisë.