Presidentja Vjosa Osmani ndan Dekorata Presidenciale me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë
Presidentja Vjosa Osmani ka dekoruar Shaban Jasharin me urdhrin ”Heroi i Kosovës”, post-mortem, për kontributin e dhënë në çlirimin e Kosovës.Presidentja Vjosa Osmani ka ndarë të martën, më 18.02.2025, dekoratat presidenciale për personalitete shqiptare e të huaja me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.Në fillim të ceremonisë, presidentja tha se shteti i Kosovës njeh sakrificën e të gjithë atyre që kontribuuan dhe sakrifikuan për Kosovën.
Duke nderuar më meritorët për lirinë e vendit, presidentja Osmani tha se sakrifica e Familjes Jashari për liri është e rrallë dhe e veçantë.“Nga plumbi i parë deri te qëndresa e marsit 1998, Jasharët nuk u thyen asnjëherë. Ata përqafuan pavdekësinë. 54 anëtarë nga Familja Jashari dhe 4 nga fqinjtë – 59 gjithsej ranë në altarin e lirisë në mars të vitit 1998”- tha Osmani.Presidentja Osmani e nderoi Familjen Jashari me dekoratën “Urdhri i lirisë”, duke kujtuar kontributin dhe sakrificën e kësaj familjeje në Betejën e Prekazit më 5, 6 dhe 7 mars 19998.Ndërsa, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha gjatë ceremonisë se sot nuk po nderohen vetëm individët por edhe vetë shpirti shqiptar. Ai falënderoi presidenten Osmani për dekorimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së nga Shqipëria,
“Sot para tyre ne përkulemi me shumë respekt dhe mirënjohje, Shqipëria ka kontribuar dhe do të kontribuojë gjithmonë sepse ashtu na thotë ndërgjegjja. Sot duhet të qëndrojmë krah për krah në ekonomi, shkencë… Në marrëdhëniet tona na lidh gjaku, kombi”- ka thënë ndër të tjera presidenti Begaj.Një fjalë rasti mbajti edhe Besarta Jashari, e mbijetuara e ngjarjeve të 5, 6 e 7 marsit 1998.Ajo tha se ndihet e nderuar për vlerësimin e bërë për familjen e saj.“Duke qenë se prezenca ime lidhet me atë që përfaqësoj, më lejoni ta nis këtë fjalim me një thënie të bacës Adem: “Ndoshta edhe arrihet liria me laps, po neve në Kosovë na mungojnë varrezat e dëshmorëve, dhe këtë ua ka thënë profesorëve të Akademisë Ushatrake në Shqipëri në vitin 1991, pas vizitës që i kishte bërë monumentit Nëna Shqipëri. Kjo thënie i jep kuptim dhe përkushtim dedikimit tonë si komb për çlirimin e Kosovës”- tha ajo pasi kishe pranuar dekoratën presidenciale “Urdhri i lirisë” për Familjen Jashari.
E gjatë ka qenë lista e dekoratave presidenciale që presidentja Osmani ndau të martën, 18.02.2025, për personalitete të shquara nga Kosova, Shqipëria e të huaja e për rreth 20 universitete ndërkombëtare si shenjë nderimi për kontributin e tyre për çlirimin, pasqyrimin, arsimimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.Me urdhrin ‘Heroina e Kosovës” dhe ”Heroi i Kosovës”, post-mortem, u dekoruan Xhevë dhe Fehmi Ladrovci.Ndërsa, ushtari i UÇK-së nga Danimarka, Niels Henrik Hooge, u dekorua me “Urdhrin e lirisë” për kontributin e dhënë në çlirimin e Kosovës.Kurse, ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, u dekorua me “Medaljen presidenciale të meritave”.
Në videon më poshtë gjeni të gjithë dekoratat presidenciale që presidentja Osmani ndau të martën me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.