Bota

Procesi arsimor në Gaza drejt rikthimit pas ndërprerjes prej një vit e gjysmë

Shpërndaje

Procesi arsimor në Gazën e shkatërruar nga lufta synon të vazhdojë pas ndërprerjes për rreth një vit e gjysmë për shkak të sulmeve izraelite, raporton Anadolu.

Në shkollën e mesme të Muskatit, një pjesë e së cilës u dëmtua nga sulmet izraelite, nxënësit mblidhen për të mësuar dhe për t’u përgatitur për provimin pranues.

Kjo shkollë, e cila ndodhet në kampin e refugjatëve Nuseirat në Deir al-Balah, ka pësuar dëme nga lufta gjenocidale e Izraelit, por megjithatë është në gjendje të vijojë aktivitetin edukativo arsimor.

Mirëpo, fatin e njëjtë nuk e kanë shumë objekte tjera arsimore, duke përfshirë edhe universitetet, të cilat janë shkatërruar plotësisht apo deri në atë masë që nuk mund të vijojnë funksionimin.

Që nga 19 janari, në Gaza është në fuqi një marrëveshje armëpushimi, duke ndalur luftën izraelite që ka shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe ka lënë enklavën palestineze në gërmadha.

Pavarësisht marrëveshjes, autoritetet lokale të Gazës raportuan pothuajse çdo ditë shkelje të armëpushimit nga ushtria izraelite.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi ​​urdhërarreste në nëntor të vitit të kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij në enklavë.