RajoniTop Lajme

Rama: Morëm letrën e BE për hapjen e kapitullit të 3-të, anëtarësohemi në 2030

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të enjte në prezantimin e modulit të inteligjencës artificiale (AI) të zhvilluar brenda platformës së integrimit europian dhe anëtarësimit, e cila përdoret çdo ditë nga më tepër se 1400 ekspertë integrimi.

Rama, në fjalën e tij, tha se përdorimi i inteligjencës artificiale do të përshpejtojë procesin e integrimit, në mënyrë që Shqipëria të jetë gati për anëtarësim deri në vitin 2027.

Shefi i qeverisë shtoi se integrimi i plotë mund të ndodhë në vitin 2030, kur flamuri shqiptar mund të valvitet në Bruksel.

“Ndërkohë që ne me këtë model do të jemi të gatshëm që gjithçka ta mbyllim brenda afatit që kemi përcaktuar së bashku me Komisionin dhe që nga pikëpamja teknike, ne të konsiderohemi gati brenda vitit 2027. Për t’i dhënë kohë pastaj procesit politik dhe ratifikimit në parlamentet e vendeve të Bashkimit Evropian. Në këtë mënyrë, brenda një harku dyvjeçar që parashikojmë për procesin politik dhe ratifikimin nga vendet e anëtarës, që më pas, maja e 2030-s do na gjejë me flamurin tonë në rreshtin e parë në Bashkimin Evropian,” tha Rama.

Rama falënderoi ekipin negociator për hapjen ditën e mërkurë të kapitullit të tretë të negociatave për integrimin në BE.

“Ju jeni skuadra e negociatorëve në përpjekjen për të anëtarësuar Shqipërinë në BE brenda vitit 2030. Sot është një ditë e bukur për të gjithë ne, e cila lidhet drejtpërdrejt me punën e të gjithëve ju. Ju falënderoj për punën tuaj dhe për faktin që e nderoni këtë vend, kundër të gjithëve atyre që përpiqen të shesin një shabllon të shtrembëruar, sipas të cilit ambasada shqiptare nuk meriton respekt. Dje ishte një moment historik në proces, që quhet edhe në gjuhën e Brukselit, momentet kur hapet një derë tjetër. Shqipëria mori letrën e presidencës polake ku na thuhet se vendi ynë është gati të çelë negociatat edhe për kapitullin e tretë,” tha Rama.