Rajoni

Rama: Rruga e Arbrit do të jetë pa pagesë

Shpërndaje

Kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se Rruga e Arbrit do të jetë pa pagesë. “Nuk do të paguash asgjë, zotrote ti. Zero. Nuk do ketë ajo rrugë pagesë, të paktën sa të jem unë këtu rruga e Arbrit s’do ketë pagesë e do të vijë dita, një ditë që të gjitha rrugët do bëhen me pagesë siç i ka gjithë bota, kjo nuk diskutohet po jo rruga e Arbrit sa të jem unë këtu të paktën”, tha Rama në përgjigje të qytetarit.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku, ditë më parë njoftoi se më 14 mars do të hapet tuneli i Murrizit.

“Më 14 mas do të hapim tunelin e Murrizit për akses për të gjitha automjetet, ndërkohë do të vijojë puna në tunelin ndihmës, atë të emergjencës”, deklaroi Balluku.

Hapja e tunelit të Murrizit e bën të qasëshme edhe të gjithë Rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme, e cila do të shënojë rritje ekonomike të zonës dhe të sektorit turistik, tashmë për Veriun.

Tuneli i Murrizit ka një gjatësi prej 3,78 kilometrash dhe përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës. Ai ka 11 dalje. Në total Rruga e Arbrit ka 7 tunele, me gjatësi totale 8,5 km.

Me një gjatësi rreth 74 km, Rruga e Arbrit do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim. Jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut.