Rashiq flet për koalicionet pas zgjedhore: Adresa e parë është Kurti, por s’kam asnjë kufizim me partitë të tjera
Kryetari i partisë “Për liri, drejtësi dhe mbijetesë”, Nenad Rashiq, ka bërë të ditur se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti shqiptare.
Ai ka thënë se pas zgjedhjeve ka folur me kryeministrin Albin Kurti, por nuk ka diskutuar për ndonjë koalicion të mundshëm.
Rashiq ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë ata që i njeh.
“Kontakt kemi pasur (me kryeministrin Kurti) por nuk kemi biseduar për këto (koalicionin) por për disa çështje më shumë teknike. Unë normalisht adresa e parë sa i përket bisedave pas numërimit të votave, do të jetë zotëri Kurti. Kjo është normale se dy-tri vitet e fundit bashkëpunoj me atë.
Mirëpo s’kam asnjë kufizim me partitë të tjera, veçanti ata me të cilët unë njihem personalisht, pasi kam 20 vjet në politikë. Unë njihem me krejt çka janë në skenën politike dhe nuk do të bëjë ndonjë limitim që të bisedojë me një parti, por përkundrazi do të bisedojë me krejt partitë të tjera”, ka potencuar ai për KP.