Ukraina dhe SHBA-ja arrijnë marrëveshjen për mineralet
Ukraina dhe SHBA-ja kanë rënë dakord për kushtet për marrëveshjen e mineraleve, por ajo ende nuk është nënshkruar, ka raportuar të martën Financial Times.
Mediumi ka cituar zëvendëskryeministren e Ukrainës dhe ministren e drejtësisë, Olha Stefanishyna të ketë thënë se marrëveshja e mineraleve është “vetëm një pjesë e tablosë”.
Financial Times thotë se është e paqartë nëse ka garanci për sigurinë e Ukrainës, të cilat Zelensky i ka kërkuar, të përfshira në marrëveshje.
Stefanishyna ka shkruar edhe të hënën në rrjetet sociale se gjithçka është shumë afër finalizimit të marrëveshjes dhe se pritet shumë shpejt edhe nënshkrimi i saj.
Edhe mediat ukrainase kanë raportuar se SHBA-ja dhe Ukraina janë dakorduar për detajet e marrëveshjes së mineraleve.
“Dokumenti do të nënshkruhet nga ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiga dhe sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio”, raporton faqja ukrainase e lajmeve Ukrainska Pravda.
Faqja, e njohur edhe si EP, raporton se të dy vendet do të krijojnë një “Fond Investimi për Rindërtim”.
Ajo gjithashtu thotë se marrëveshja “nuk përmban garanci të qarta sigurie”.
Mineralet kritike janë të rëndësishme për energjinë e rinovueshme, çështjet ushtarake dhe infrastrukturën industriale, sipas ekspertëve.
SHBA-ja po synon të zvogëlojë varësinë e saj nga Kina, e cila aktualisht kontrollon rreth 75% të depozitave të mineraleve të rralla në botë, sipas Grupit të Investimeve Gjeologjike.
Kina gjithashtu ka kufizuar më parë eksportet e saj të mineraleve në SHBA.
Për dakordimin kanë njoftuar edhe burime për BBC.