Bota

“Unë e kam thanë a? Nuk e besoj”: Trump habit pas deklaratës kur e quajti Zelensky-in “diktator”

Shpërndaje

Presidenti amerikan Donald Trump shkaktoi reagime të ashpra duke e quajtur presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, një “diktator”.

Megjithatë, kur u pyet nga gazetarët në Zyrën Ovale, ku ishte bashkë me kryeministrin britanik, Sir Keir Starmer, për ta përsëritur deklaratën, ai “u tërhoq” duke thënë: “A thashë unë këtë? Nuk mund ta besoj që e kam thënë”.

Veç kësaj, gjatë deklarimeve aty, Trump tha se Ukraina nuk do të bëhet pjesë e NATO-s dhe se përparësia e tij kryesore është ndalimi i luftës, përcjell Telegrafi.

Ai u shpreh optimist për një marrëveshje paqeje, duke theksuar se Rusia ka vepruar “shumë mirë” në bisedimet e fundit dhe se ka besim që një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin do të arrihet.

Ndërkohë, Starmer theksoi rëndësinë e një sigurie të qëndrueshme për Ukrainën dhe theksoi se çdo marrëveshje paqeje nuk duhet të shkelet nga Rusia.

Sa i përket një marrëveshjeje të re për mineralet e rralla që pritet të nënshkruhet me Zelenskyn, Trump e cilësoi atë si një “garanci” për Ukrainën, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në këtë sektor.