Voton presidentja Osmani, u bën thirrje qytetarëve ta shfrytëzojnë të drejtën e votës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ushtruar të drejtën e saj të votës këtë të diel në Fakultetin Teknik në Prishtinë.
Osmani ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, duke ftuar qytetarët që të votojnë dhe të kontribuojnë në procesin demokratik të vendit.
“Kosova është demokracia më e zhvilluar në rajonin tonë, duhet ta mbajmë të tillë dhe ta zhvillojmë edhe më tej. Sot është ditë vendimtare që të gjithë qytetarët të japin kontribute në këtë drejtim duke marrë pjesë në procesin më të rëndësishme nga i cili determinohet parlamenti i ardhshëm pastaj dhe institucionet e tjera. Por edhe merren vendime që kanë rendësi për kualitetin e jetës së tyre dhe për gjithë vendin tonë. Kështu që shpresoj që të gjithë qytetarët anë e mbanë Kosovës do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë.
I uroj suksese të gjithë atyre që kandiduan në këto zgjedhje, shpresoj që e mbara t’i prij Kosovës dhe një ndër mënyrat më të mira për të kontribuar për Kosovën tonë është pikërisht duke shfrytëzuar të drejtën me votë”, ka deklaruar presidentja Osmani para mediave.