BotaTop Lajme

Zbulohet oferta ruse për Ukrainën, Moska ofron 300 miliardë dollarë nga asetet e ngrira që të përdoren për rindërtim

Shpërndaje

Rusia mund të pranojë që asetet e ngrira në Evropë, në vlerë prej 300 miliardë dollarë, të përdoren për “rindërtimin e Ukrainës”, në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme për paqe, njofton “Reuters”.

Rusia do të insistojë që një pjesë e parave të shpenzohet në një të pestën e territorit që forcat ruse kontrollojnë.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zhvilluar bisedime për përfundimin e luftës në Ukrainë më 18 shkurt në Arabinë Saudite dhe të dy presidentët, i SHBA-së Donald Trump dhe i Rusisë, Vladimir Putin, kanë deklaruar se shpresojnë që të takohen në të ardhmen e afërt.

Pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, SHBA-ja dhe aleatët e saj ndaluan transaksionet me Bankën Qendrore të Rusisë dhe Ministrinë e Financave, duke bllokuar 300 deri në 350 miliardë dollarë të aseteve sovrane të Rusisë, kryesisht obligacione qeveritare evropiane, amerikane dhe britanike të mbajtura në një depozitë evropiane sigurimesh.

Një vit më parë, Banka Botërore ka llogaritur se rindërtimi i Ukrainës do të kushtonte rreth 486 miliardë dollarë.

Kremlini nuk i ka komentuar këto teza të publikuara në media, ndërsa Kërkesat kryesore të Rusisë për të ndaluar luftimet përfshijnë tërheqjen e trupave të Kievit nga territoret që Rusia i pretendon si të vetat dhe të shuajë ambiciet e Ukrainës për anëtarësim në NATO. Ukraina kërkon që Rusia t’i tërheqë trupat nga territori i saj, dhe do garanci nga Perëndimi.

Top Channel