Deri sot nuk ka ankesa për procesin zgjedhor! Rektori i ri i “Nënë Terezës” është Bekim Fetaji
Universitetit “Nënë Tereza” publikoi vendimin preliminar dhe në bazë të rezultateve preliminare nga votimi i fshehtë, rektor është zgjedhur prof. dr. Bekim Fetaji, profesor ordinar nga Fakulteti i Shkencave Informatike.
“Sipas listave zgjedhore të fakulteteve të regjistruar ishin gjithsej 76 votues, në ditën e votimit votuan 74 votues, 73 të vlefshme dhe 1 e pa vlefshme, dhe 2 votues nuk e shfrytëzuan të drejtën e votës”, thonë nga Universiteti “Nënë Tereza” Shkup.
Kryetari i Komisionit të zgjedhjeve Zoran Gacovski për TV21 konfirmoi se procesi zgjedhor ka ecur mbarë dhe në frymë demokratike, teksa shton se deri sot nuk është paraqitur asnjë ankesë dhe se afati kohor për parashtresa është deri të hënën.
“Mbrëmë kishte spekulime në lidhje me legjitimitetin e listës zgjedhore. Mirëpo unë u siguroj që në listën zgjedhore ishin të gjithë anëtarët e stafit të mësimdhënësve. Dhe të gjithë profesorët janë në listat zgjedhore dhe nuk kishte asnjë që ka ngelur jashtë. Lista zgjedhore ishte e rregullt që kishte përfaqësues edhe nga studentët nga të gjitha fakultet”, theksoi Zoran Gacovski – kryetar i Komisionit Qendror.
Gara mes dy kandidatëve prof.dr.Bekim Fetajit dhe prof.dr.Blerim Saitit ishte shumë e ngushtë. Pas numërimit të votave, Fetaji u shpall fitues me 38 vota, gjegjësisht 3 vota më shumë se kundërkandidati prof. dr. Blerim Saiti, i cili mori 35 vota. Mandati i rektorit të zgjedhur zgjat 3 vjet, ndërsa rektori i ri Bekim Fetaji pritet që postin zyrtarisht ta marrë më 26 prill 2025.