Bota

Dy të vdekur si pasojë e sulmit të ushtrisë izraelite ndaj një spitali në Gaza

Shpërndaje

Të paktën dy palestinezë janë vrarë si pasojë e sulmit të ushtrisë izraelite ndaj spitalit “Nasser” në jug të Gazës, përfshirë një fëmijë 16-vjeç, transmeton Anadolu.

Në njoftimin nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza thuhet se është gjetur trupi i një personi në rrënojat e seksionit kirurgjik të spitalit të shënjestruar nga ushtria izraelite.

Personi në fjalë është një fëmijë 16-vjeç i cili ishte marrë për operim para dy ditësh. Ndërsa edhe më parë ishte raportuar për një të vdekur dhe shumë të plagosur.

Kështu numri i të vdekurve është raportuar të jetë të paktën 2.

Spitali “Nasser” njihet si më i madhi në jug të Gazës dhe ofron shërbime për shumë pacientë dhe të plagosur.

Ushtria izraelite ka shënjestruar shumë institucione shëndetësore që nga fillimi i sulmeve të saj në Gaza më 7 tetor 2023.

Gjithsej 34 spitale mbetën jofunksionale pas sulmeve izraelite.

Të paktën 700 palestinezë janë vrarë dhe mbi 1 mijë të tjerë janë plagosur në një fushatë të papritur ajrore nga Izraeli në Gaza që nga 18 marsi, duke e shkelur armëpushimin dhe marrëveshjen për shkëmbimin e të burgosurve që u arrit në muajin janar.

Më shumë se 50 mijë palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe të paktën 113 mijë të tjerë janë plagosur në sulmet brutale izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Izraeli për luftën brutale në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një rast gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.