Erion Veliaj sot në Apel, kërkon zbutjen e masës së “arrestit me burg”
Erion Veliaj do të dalë sot para trupës gjykuese të Apelit të Gjykatës së Posaçme, për të kërkuar zbutjen e masës së dhënë ndaj tij. Atë të arrestit me burg.
Kryebashkiaku i Tiranës, që vazhdimisht e ka cilësuar arrestimin e tij si të paligjshëm dhe ndaj prokurorit të çështjes ka hedhur akuza, sot në orën 10:00 do të jetë në seancën që do të drejtohet përballë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, një emër i njohur.
Ky i fundit është gjyqtari që dënoi me burg ish-ministrin Saimir Tahiri, ndërsa u zgjodh me short për të gjykuar edhe çështjen e Veliajt, pasi gjyqtarja Ilirjana Olldashi ndodhet me raport për shkak të problemeve shëndetësore.
Masën e kanë ankimuar edhe 4 nga 6 biznesmenët e akuzuar për korrupsion në këtë çështje, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula, aktualisht nën masën “detyrim paraqitjeje”, ndërsa biznesmeni Elman Abdule, i arrestuar, kërkon një masë më të butë se paraburgimi. Ndërkohë, biznesmenët Sokol Kryeziu dhe Fatmir Bektashi nuk e kanë ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme, “detyrim paraqitjeje”.
Veliaj akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”, të kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, e cila po hetohet në masë detyrim paraqitjeje, edhe për mosdeklarim pasurie. /Top Channel