Hashim Thaçi në Kosovë takon veç babanë në spital, pritet me brohoritjet UÇK-UÇK
Pas tre kërkesave të refuzuara, Gjykata Speciale më në fund e ka lejuar ish-presidentin Hashim Thaçi që ta vizitojë babanë e tij të sëmurë në Kosovë.
Sapo u mor vesh lajmi, disa qytetarë u mblodhën aty dhe në QKUK, Thaçi hyri nën thirrjet UÇK e nuk e la pa i përshëndetur qytetarët, ani se ishte i rrethuar nga policë të EULEX-it.
Nën masa të rrepa sigurie të zyrtarëve të EULEX-it dhe njësisë së Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës vendi u sigurua për tre ore.
Megjithatë, qytetarët të cilët morën vesh se aty erdhi presidenti Thaçi nuk pati që i largon.
“Unë isha në klinikë për sy, mora vesh se e kanë sjellë presidentin Thaçi edhe pata qef me pa, përndryshe nuk e kam pa qe sa kohë”, ka thënë Agim Osmani, qytetar.
“Po te shohim pak, u be mirë që e kanë lanë me ardhë, me pa babën e vet”, ka thënë një qytetar tjetër.
Përveç me babanë, Hashim Thaçin nuk e lejuan të takohet as me anëtarë të tjerë të afërt të familjes.
Kjo pasi në mesin e turmës së qytetarëve para QKUK-së, Thaçin nga larg erdhën ta shohin edhe dy vëllezrit e tij, Gani e Nazmi Thaçi.
Ashtu siç hyri edhe doli, me brohoritje por me masa të rrepta të sigurisë Thaçin mundi ta përshëndestë vetëm njëri nga doktorët e klinikës.
Thaçi me të takuar babanë e tij që është tash e sa kohë në gjendje të rëndë shëndetësore, do të kthehet përsëri në Hagë, pasi që familjarët e tij i thanë televizionit se nuk ka të parapara vizita të tjera.
Zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle, konfirmoi vizitën, duke theksuar se ajo është aprovuar për arsye të forta humanitare.
“Fatkeqësisht, aktualisht nuk e kemi të redaktuar dokumentin, i cili përfshinë detaje. Por, në vizitat e kaluara, sipas procedurës, kur vizita ka përfunduar atëherë paneli i gjykatësve e ka bërë publik kërkesën dhe vendimin për atë vizitë. Kështu që, në këtë kohë, nuk kam vendim publik që do t’i përgjigjej pyetjeve rreth kushteve për vizitën e Thaçit. Mund të them se në rastet e kaluara këto informata janë bërë publike pas vizitave”, ka thënë Doyle.
Kjo është hera e tretë që Hashim Thaçi vjen për vizita të tilla familjare në Kosovë që nga fundi i 2020-s kur u arrestua bashkë me tre ish-krerët tjerë të UÇK-së për krime lufte.