RajoniTop Lajme

Kryeministri Kurti mori pjesë në Tubimin Përkujtimor të masakrës në Fortesë të Rahovecit

Shpërndaje

Pas homazheve dhe vendosjes së kurorave me lule të freskëta në varrezat e martirëve dhe dëshmorëve në Brestoc të Rahovecit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vazhdoi me homazhe në fshatin Fortesë të kësaj komune, ku mori pjesë në tubimin përkujtimor për të vrarët në masakrën mizore në këtë vend nga pjesëtarët e forcave të armatosura serbe.

Në përkujtim të dëshmorëve dhe martirëve të vrarë në këtë masakër, kryeministri tha se ai ndodhet aty sot për të përkujtuar sakrificën dhe qëndresën e popullit tonë për liri, për jetët e humbura dhe për mbijetesën e popullit, përballë gjenocidit të Serbisë.

Në këtë tubim përkujtimor, kryeministri Kurti ktheu në kujtesë për të pranishmit disa nga raportimet e ndërkombëtarëve për gjenocidin e tmerrshëm që po ndodhte asokohe në Kosovë. Duke filluar nga gazeta britanike “The Independent”, e cila kishte raportuar se “Nëse ka ndonjë dyshim se shfarosja e popullsisë shqiptare të Kosovës nuk ishte planifikuar mirë përpara fillimit të fushatës ajrore të NATO-s, historia e Bellacërkës e hedh poshtë këtë gënjeshtër; sepse reagimi i serbëve ndaj bombës së parë ishte i menjëhershëm, i koordinuar dhe plotësisht i përpiktë, pa asnjë shenjë improvizimi”. Për masakrën e Fortesës ishte deklaruar edhe ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Robin Cook si cili kishte thënë se “këta fëmijë nuk mund të kenë përbërë asnjë rrezik për askënd, por forcat serbe qartazi e shihnin çdo shqiptar, pa marrë parasysh moshën, si armik”, ndërsa, hetuesi britanik, Boytal-Gil, ishte shprehur se “sigurisht që kam pasur të bëj me vrasje më parë, por kurrë në jetën time nuk kam parë diçka të tillë”.

Policët e Serbisë u kishin thënë “Kërkoni ndihmë nga NATO tash!” grupit prej 13 shqiptarëve në Fortesё, para se të qëllonin mbi ta me armë automatike. “Çlirimi, Lumturia, Dhurata, Dardana dhe Dardani nga familja Zhuniqi, si dhe Xhemajli, Qamilja, Fiqirija, Ilirijana, Marigona, Labinoti e Lirimi nga familja Spahiu, mbeten të vrarë. Ekzekutimit i mbijetoi vetëm vogëlushi 3-vjeçar i familjes Zhuniqi. Në mesin e madh të strehuarve në bregun e lumit, mes tjerëve e vranë dhe doktorin Nesim Popaj. Atë ditë, mes të vrarëve, 15 ishin fëmijë, e më i vogli ishte 4 vjeç”, tha kryeministri.

Kryeministri theksoi se Masakra e Fortesës ishte përfshirë në aktakuzën ndaj Slobodan Millosheviq në Tribunalin e Kombeve të Bashkuara për Krime Lufte në Hagë. Ndonëse ai nuk u dënua, për këtë masakër, mes tjerash, u dënuan urdhërdhënësit Nikola Shainoviq, Nebojsha Pavkoviq, Sreten Lukiq dhe Vlastimir Gjorgjeviq.

I ndodhur në mesin e shumë familjarëve, banorëve të fshatit, veteranëve e invalidëve të UÇK-së, kryeministri tha se i përkulemi kujtimit të burrave e grave, djemve e vajzave, që ranë me flijim e me sakrificë, për çlirimin e Kosovës.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë të rënët në Fortesë!”, tha në fund të fjalës së tij kryeministri.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të dashur banorë të Fortesës së Rahovecit,
Të nderuar invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
I nderuari Kryetar i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi,
I nderuari Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj,
I nderuar Drejtor i Institutit për Krime të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi,
E nderuara deputete e Kuvendit të Republikës, Albena Reshitaj
I nderuar zëvendësministër, Mevledin Sinani,
Të nderuar përfaqësues e udhëheqës të institucioneve, drejtorë të komunës, asamblistë në Rahovec,
Të dashur familjarë të dëshmorëve, të martirëve të kombit,
Motra dhe vëllezër,

Jemi sot në Fortesë, për të përkujtuar sakrificën dhe qëndresën e popullit tonë për liri. Jemi këtu për jetët e humbura dhe për mbijetesën e popullit, përballë gjenocidit të Serbisë.

“Nëse ka ndonjë dyshim se shfarosja e popullsisë shqiptare të Kosovës nuk ishte planifikuar mirë përpara fillimit të fushatës ajrore të NATO-s, historia e Bellacërkës e hedh poshtë këtë gënjeshtër; sepse reagimi i serbëve ndaj bombës së parë ishte i menjëhershëm, i koordinuar dhe plotësisht i përpiktë, pa asnjë shenjë improvizimi”, shkruante në vitin 1999, gazeta britanike “Independent”.

Më 24 mars 1999, kishte filluar fushata bombarduese e NATO-s, me qëllim të ndalimit të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ajo që pasoi, është fushata e gjerë dhe sistematike e forcave serbe për vrasjen dhe dëbimin me dhunë të shqiptarëve të Kosovës.

Po e citoj edhe një herë gazetën britanike “The Independent”: “Në orën 3 të mëngjesit, disa orë pasi NATO hodhi raketën e parë në territorin jugosllav, ushtria filloi të bombardonte dhe digjte fshatrat përgjatë kufirit me Shqipërinë. Bellacërka ishte një nga fshatrat, që serbët e kishin planifikuar për fazën e parë të spastrimit etnik, për të krijuar një kordon sanitar midis Kosovës dhe Shqipërisë”.

Me fillimin e operacionit të NATO-s, pesë tanke serbe kishin arritur në fshat dhe kishin marrë pozicionet në kodër. Në orën 4 të mëngjesit, hapën zjarr nga llogoret, mbi çatitë e shtëpive, duke detyruar popullsinë civile të linte fshatin.

Ende në errësirë, banorët e fshatit u larguan drejt brigjeve të lumit. Shumica u fshehën nën urën që kalonte mbi lum, e të tjerë më tej përgjatë bregut. Pjesëtarë të forcave të armatosura serbe i gjetën atje në agim, të izoluar dhe të paarmatosur.

“Kërkoni ndihmë nga NATO tash!”, u kishin thënë policët e Serbisë grupit prej 13 shqiptarëve këtu në Fortesё, para se të qëllonin mbi ta me armë automatike. Çlirimi, Lumturia, Dhurata, Dardana dhe Dardani nga familja Zhuniqi, si dhe Xhemajli, Qamilja, Fiqirija, Ilirijana, Marigona, Labinoti e Lirimi nga familja Spahiu, mbeten të vrarë. Ekzekutimit i mbijetoi vetëm vogëlushi 3-vjeçar i familjes Zhuniqi. Në mesin e madh të strehuarve në bregun e lumit, mes tjerëve e vranë dhe doktorin Nesim Popaj. Atë ditë, mes të vrarëve, 15 ishin fëmijë, e më i vogli ishte 4 vjeç.

“Këta fëmijë nuk mund të kenë përbërë asnjë rrezik për askënd, por forcat serbe qartazi e shihnin çdo shqiptar, pa marrë parasysh moshën, si armik.” Kësisoj pati deklaruar për këtë masakër ministri i Jashtëm britanik, Robin Cook.

Dhe më tej, një citat tjetër interesant e kishte thënë hetuesi britanik, Boytal-Gil: “Sigurisht që kam pasur të bëj me vrasje më parë, por kurrë në jetën time nuk kam parë diçka të këtillë”.

Masakra e Fortesës ishte përfshirë edhe në aktakuzën ndaj Slobodan Millosheviqit në Tribunalin e Kombeve të Bashkuara për Krime Lufte në Hagë. Ndonëse ai nuk u dënua, për këtë masakër, mes tjerash, u dënuan urdhërdhënësit Nikola Shainoviq, Nebojsha Pavkoviq, Sreten Lukiq dhe Vlastimir Gjorgjeviq. Mirëpo, ende nuk janë dënuar as gjykuar kryesit e kësaj masakre.

Ndërsa trupat e KFOR-it po përgatiteshin të merrnin kontrollin e zonës pas armëpushimit, komandantët serbë në qytet filluan të digjnin grumbuj dokumentesh të fshehura në arkivat e stacionit të policisë në Rahovec. Ndër dokumentet që kanë mbijetuar janë edhe ato që e përshkruajnë të ashtuquajturin “Plani i Kurthit”, një operacion që duket se ishte hartuar aty nga janari i vitit 1999, me objektiv fshatin Bellacërkë, nga i cili UÇK-ja po e siguronte ushqimin. Dokumentet e shqyrtuara nga një ekip i BBC-së, tregojnë se plani shpjegon se si viktimat e shënjestruara do të mblidheshin jashtë fshatit, pranë urës së hekurudhës, dhe do të eliminoheshin në brigjet e lumit të vogël. Plani përfshinte edhe ndarjen e pjesëtarëve të forcave serbe në njësi të ndryshme, që sipas dokumenteve, ishin nën komandën e njëfarë Dushan Vujiçiq.

Plani serb për zhdukjen e dëshmive, për planin e zhdukjes së shqiptarëve, dështoi.

Këtu shumë varre janë dëshmi e madhe e gjenocidit të Serbisë. Mirëpo, ju këtu të dashur qytetarë të Republikës, jeni dëshmia e qëndresës së popullit tonë dhe e fitores së shtetit të pavarur. Kjo datë e sotme është përkujtim se sa e shtrenjtë është liria që e gëzojmë.

Të nderuara motra dhe vëllezër,

Si institucione të Republikës me përgjegjësi dhe si qytetarë të Republikës me vetëdije, ne bëhemi bashkë që brezi aktual i fëmijëve dhe brezat e ardhshëm të fëmijëve që s’kanë lindur ende, të mos kalojnë nëpër këto vuajtje, dhimbje e humbje që kaloi brezi ynë. Bëhemi bashkë që ata të kenë të ardhme të ndritshme, me një Kosovë, me një rajon, me një Evropë e cila është e lirë, e bashkuar dhe e mbrojtur nga NATO-ja, nga çfarëdo agresioni. Ushtria e Kosovës kurrë nuk ka qenë më e fuqishme, e kufijtë e Kosovës asnjëherë nuk kanë qenë të mbrojtur si sot.

Por, në një ditë si kjo, para së gjithash e mbi të gjitha kujtojmë gjakun e dëshmorëve dhe të martirëve që ndodhet në themelet e shtetit tonë.

I përkulemi kujtimit të burrave e grave, djemve e vajzave, që ranë me flijim e me sakrificë, për çlirimin e Kosovës.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë të rënët në Fortesë!

Lavdi!