Rutte: NATO mbështet paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili po qëndron për herë të parë në vizitë zyrtare në Kosovë, ka thënë se prania e tij në Kosovë është demonstrim i qartë i përkushtimit të palëkundur të NATO-s në Kosovë dhe për stabilitetin e gjithë rajonit, raporton Anadolu.
Pas takimit rreth një orësh me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Rutte në konferencë për media tha se NATO-ja është në përkrahje të paqes në Ballkanin Perëndimor për tre dekada.
“NATO-ja ka mbështetur paqen, stabilitetin në Ballkanin Perëndimor për tashmë 30 vjet me radhë. Përkushtimi ynë mbetet i qëndrueshëm edhe sot, udhëhequr nga KFOR-i që është misioni më afatgjatë dhe më i madh, nën lidershipin nga gjenerali Enrico Barduani”, theksoi Rutte.
Rutte tha se një rajon më i sigurt i Ballkanit Perëndimor nënkupton më shumë siguri për gjithë zonën e NATO-s. Ai tha se dekada të stërzgjatura të ndërtimit të paqes nuk mund të lihen anash.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s foli edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi me lehtësimin e Bashkimit Evropian (BE), për të cilin proces tha se “është rruga e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura”.
Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë “kompromise të duhura” në dialog.
“Për ta shtyrë përpara këtë dialog, të dyja palët duhet të shfaqin fleksibilitet, të bëjnë kompromise të duhura dhe të fokusohen në dobitë afatgjate. E kuptoj plotësisht që kjo kërkon vendime të vështira por, që duhet të shohim atë pamje më të gjerë. Normalizimi sjell stabilitet më të madh, më shumë mundësi investimi dhe pastaj siguri më afatgjatë për gjithë rajonin”, theksoi Rutte.
Ai po ashtu ka thënë se mandati i NATO-s është që të sigurohet se Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë efektive në rolin e saj humanitar.