Rajoni

Vrasja e 19-vjeçarit në Vushtrri, i dyshuari pranon fajësinë

Shpërndaje

I dyshuari për vrasjen e 19-vjeçarit mbrëmjen e të dielës, në Vushtrri ka pranuar fajësinë.

Nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, për Dukagjinin, kanë konfirmuar se i pandehuri e pranoi fajësinë gjatë marrjes së deklaratës, ndërsa me vendim të prokurorit ai është ndaluar për 48 orë.

“Një i dyshuar është arrestuar për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’, dhe me vendim të prokurorit është vendosur në ndalim 48 orësh. Gjatë hetimeve, është sekuestruar arma me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja. Policia dhe prokuroria janë duke mbledhur prova relevante për rastin”, thuhet nga prokuroria.

Ai ka shtuar se prokuroria do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit brenda afatit të paraparë ligjor.

Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin me inicialet B.D., për vrasjen e A.Z., 19-vjeçar, që ndodhi mbrëmjen e kaluar në Vushtrri.

Gjatë kontrollit të shtëpisë së tij, është sekuestruar një armë pistoletë, ndërsa gjatë bastisjes në shtëpinë e tij u gjet edhe një armë e gjatë me pesë fishekë.

Në vendin e ngjarjes, hetuesit konfirmuan se një person kishte shtënë me armë në drejtim të viktimës A.Z., i cili më pas u dërgua në Spitalin e Vushtrrisë, ku mjekët konfirmuan vdekjen e tij.

Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës u dërgua për obduksion në IML.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka theksuar se viktima ishte dërguar në spital pa shenja jete.