Arrestimi i ish ministrave, BDI: Shqiptarët po sulmohen nga shteti
Pas ngjarjeve të fundit, ku Ministria për Punë të Brendshme ka thirrur në bisedë informative të gjithë ish-ministrat e Ekonomisë që nga viti 2012 kanë reaguar nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Nga partia e Ahmetit thonë se shqiptarët po sulmohen nga shteti. Tutje integristët theksojnë se “kjo nuk është drejtësi, kjo është hakmarrje për përfshirjen e shqiptarëve në proceset institucionale”!
Reagimi i plotë i BDI-së.
Sot populli shqiptar në vend është nën sulm nga institucionet e vendit të vet të cilat janë tërësisht të bllokuara nga interesat politike dhe etnocentriste të Qeverisë.
Për të mbrojtur veten dhe të tyre, Kryeministri, Ministri i Brendshëm dhe Prokurori Publik drejtuan në mënyrë të njëanshme hetimin ndaj shqiptarëve që në çdo mënyrë dhe në çdo kohë ishin pjesë e institucioneve të sistemit.
E shprehim qartë se sot kundër shqiptarëve është shpallur agresion i njëanshëm dhe i padrejtë, qofshin BDI, partitë shqiptare në pushtet apo shqiptarët në përgjithësi.
Kjo nuk është drejtësi, kjo është hakmarrje për përfshirjen e shqiptarëve në rrjedhat institucionale!
BDI do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar vazhdimin e këtij sulmi dhe për të siguruar drejtësi për popullin shqiptar në vend.