BE-ja miraton kundërmasa për tarifat e SHBA-së
Bashkimi Evropian ka miratuar masat e para për t’iu kundërpërgjigjur tarifave të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump. Me masat e miratuara, blloku shënjestron produktet amerikane në vlerë prej 20 miliardë eurosh përfshirë sojën, motoçikletat dhe produkte të bukurisë.
Tarifat deri në 25 për qind janë hakmarrje për tarifat e SHBA-së ndaj çelikut dhe aluminit të vendosura muajin e kaluar – ndërsa masat e Evropës ndaj tarifave të fundit, që Trump i shpalli më 2 prill, ende nuk janë ndërmarrë.
“Këto kundërmasë mund të pezullohen në çdo moment, nëse SHBA-ja pranon një marrëveshje të drejtë dhe të balancuar”, tha Komisioni Evropian në një deklaratë të lëshuar pas miratimit të masave nga shtetet anëtare të BE-së.
Tarifa e re do të nisë së zbatuari më 15 prill, tha KE-ja.
“BE-ja e konsideron tarifat e SHBA-së të pajustifikueshme dhe dëmtuese, duke shkaktuar dëm ekonomik për të dyja palët, si dhe për ekonominë globale”, shtoi KE-ja.
Brukseli theksoi se dëshiron një marrëveshje që “do të ishte e balancuar dhe me përfitime reciproke”.
Trump ka vendosur gjithashtu një tarifë prej 25 për qind për importet e automjeteve nga BE-ja, dhe ka shënjestruar bllokun me tarifa reciproke prej 20 për qind që hynë në fuqi sot.
Një zëdhënës i BE-së tha përgjigja ndaj tarifave të reja të SHBA-së do të bëhet publike javën e ardhshme.
E miratuar nga 26 shtete të BE-së – Hungaria nuk votoi kundër – lista e produkteve të shënjestruara është e orientuar kryesisht drejt shteteve që udhëhiqen nga republikanët e Trumpit.
Produktet e përfshira janë produktet e pulës, mistri, frutat dhe arrat, druri, motoçikletat, plastika, tekstili, pikturat dhe pajisjet elektrike.
Burboni, që ishte në një listë të mëhershme, është hequr nga BE-ja pas presionit nga eksportuesit e mëdhenj të verërave nga Franca dhe Italia, që kanë shprehur frikën se Trumpi do të bëjë realitet kërcënimin e tij për vendosjen e një tarife prej 200 për qind ndaj pijeve evropiane.
Shishet e uiskit burbon të prodhuara në Shtetet e Bashkuara shfaqen të ekspozuara në një dyqan pijesh alkoolike në Niles, SHBA, 13 mars 2025.
Masat e miratuara të mërkurën nga BE-ja janë të ndara në dy pjesë.
Së pari, BE-ja do të lejojë që një sërë tarifash që datojnë nga mandati i parë i Trum-it – por që u pezulluan – të rikthehen në fuqi dhe ato do të nisin zbatimin nga e marta e ardhshme.
Hapi i dytë përfshin listën e re të produkteve që do të shënjestrohen me tarifa, shumica e të cilave do të hyjnë në fuqi muajin e ardhshëm, ndërsa disa do të realizohen në dhjetor./REL