Fetai: Korrupsioni përbën kërcënim serioz për zhvillimin demokratik dhe stabilitetin institucional
Në konferencën rajonale “Integriteti Global nën Rrethim: Inovacion kundër Pushtetit të Paligjshëm”, të organizuar nga SELDI dhe MCMS, Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut i ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai riafirmoi përkushtimin e Qeverisë për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve demokratike.
Fetai, theksoi se korrupsioni përbën kërcënim serioz për zhvillimin demokratik dhe stabilitetin institucional, duke përmendur se vetëm 18 për qind e masave të planifikuara antikorrupsion janë zbatuar gjatë vitit të kaluar. Ai bëri thirrje për përgjegjësi të përbashkët dhe përpjekje të reja, pavarësisht uljes së mbështetjes ndërkombëtare, përfshirë edhe nga USAID dhe IRI.
Fetai njoftoi rifillimin e dialogut të strukturuar ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile, përmes krijimit të Këshillit për Bashkëpunim mes Qeverisë dhe shoqërisë civile dhe përfshirjen e një përfaqësuesi të saj me të drejtë vote në Trupin Ndërsektorial për koordinimin e luftës kundër korrupsionit.
“Demokracia kërkon një shoqëri civile të fortë dhe të angazhuar,” deklaroi Fetai, duke riafirmuar përkushtimin e palëkundur të Qeverisë për integrimin evropian dhe sundimin e ligjit.