RajoniTop Lajme

Hapet edhe një zyrë e Postës së Kosovës në Leposaviq

Shpërndaje

Në Leposaviq është hapur sot zyra e re e Postës së Kosovës, e katërta në këtë komunë, në një objekt që tashmë është rikthyer nën menaxhimin e Postës.

Në përurimin zyrtar morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, kryetari i komunës Lulzim Hetemi, kryesuesi i bordit të Postës Gëzim Paci dhe kryeshefja ekzekutive Nora Rraci.

Kryeministri Kurti përgëzoi Postën, Ministrinë e Ekonomisë dhe Komunën e Leposaviqit për hapjen e zyrës së re, duke e cilësuar atë si një bashkëdyzim të ligjshmërisë dhe cilësisë.

“Ata operatorët e pa licencuar që kanë funksionuar më herët janë mbyllur dhe tash e kemi Postën e Kosovës ku përveç dërgesave të zakonshme të postës mund të pranohen edhe mjete financiare në euro për qytetarët e Leposaviqit. Ky është një lajm i mirë edhe për banorët e komunës, por edhe për shërbimin postar publik të Republikës së Kosovës”, u shpreh kryeministri.

Ai theksoi se Posta ka kaluar nga operimi me humbje në një ndërmarrje fitimprurëse nën drejtimin e kryeshefes Nora Rraci, duke shtuar se tani shërbimet e saj janë të pranishme edhe në zonat më të largëta të vendit.

“Posta e Kosovës nuk e shikon ku ka fitim që të ketë zyre, por ku ka qytetarë që të ketë shërbim”, nënvizoi kryeministri.

Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, falënderoi qeverinë dhe Postën për këtë investim dhe kërkoi që të hapen edhe pika të tjera në këtë komunë.

Në fjalën e saj, kryeshefja Nora Rraci tha se Posta ka rritur me 11% numrin e zyrave postare në Kosovë krahasuar me një vit më parë.

Ministrja Rizvanolli shprehu mbështetjen e Qeverisë për zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit të Postës së Kosovës, duke siguruar se do të vijojnë investimet në shërbime moderne.

Aktualisht, Posta e Kosovës numëron 157 zyra postare aktive në të gjithë vendin, përfshirë 13 zyra në komunat veriore. Po ashtu, janë realizuar investime në transport, infrastrukturë IT dhe në shërbime të reja postare dhe financiare, përfshirë transfertat ndërkombëtare të parave dhe mbështetjen për zhvillimin e e-commerce.