RajoniTop Lajme

Kosova lëshon urdhërarrest për krime lufte ndaj Milan Radoiçiq dhe 19 të tjerëve

Shpërndaje

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 serbëve të tjerë, për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë, transmeton Anadolu.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiq, dhe të tjerët, dyshohen se vranë 106 civilë shqiptarë në Gjakovë dhe keqtrajtuan 300 të tjerë.

Kërkesa për lëshimin e udhërarrestit ka ardhur nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), ka konfirmuar për mediat zëdhënësja e kësaj prokurorie Liridona Kozmaqi.

“Po mund të konfirmoj se PSRK i ka bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë për lëshimin e urdhërarrestit dhe Gjykata ka lëshuar këtë urdhëarrest”, tha Kozmaqi.

Urdhërarresti është lëshuar më datë 15 prill 2025, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të datës 27 mars 2025.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ne kërkesë ka cituar se me datë 18.03.2025 ka nxjerr aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurve për shkak të dyshimit të arsyeshëm se në periudhën kohore 1998-1999, në vendin e quajtur ‘Ura e Taliqit’ në Gjakovë nga data 7 maj e deri më date 10 maj te vitit 1999, pjesëtaret e forcave ushtarake dhe policor serbe të uniformuar, në mesin e tyre edhe të pandehurit e lartcekur filluan të hynin shtëpi për shtëpi, ku me forcë dhe kanosje i nxorën nga shtëpitë të gjithë personat që ishin prezentë, duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe me pas i vranë gjithsej 106 civilë të nacionalitetit shqiptar dhe pas luftës trupat e tyre u gjetën në një varrezë masive në Batajnice të Serbisë”, thuhet në arsyetimin e urdhërarrestit.

Milan Radoiçiq tashmë është person i kërkuar nga Kosova edhe për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023 ku u vra rreshteri policor i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Radoiçiq e mori përgjegjësinë për këtë sulm ku mbeti i vrarë rreshteri policor, ndërsa Beogradi zyrtar ka mohuar çdo përfshirje në këtë rast.