Kosovë, mbyllet një institucion paralel në Komunën e Shtërpcës
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sot ka bërë të ditur se autoritetet shtetërore kanë ndërmarrë veprime për mbylljen e një kompanie paralele të Serbisë që vepronte në Komunën e Shtërpcës, transmeton Anadolu.
Rizvanolli nëpërmjet rrjeteve sociale tha se kompania “Novo Javno Preduzeće” (Ndërmarrja e re publike), e cila ofronte shërbime të ujësjellësit dhe menaxhimit të mbeturinave, është ndërprerë nga operimi pas kërkesës së Njësisë së Mbikëqyrjes së Ndërmarrjeve Publike dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Ajo deklaroi se institucionet paralele që veprojnë nën direktiva të Beogradit nuk kanë vend në territorin e Kosovës.
“Asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës. Asnjë paralelizëm i institucioneve tona e nën direktivat e Beogradit brenda territorit të vendit tonë nuk do të funksionojë në asnjë formë”, ka shkruar Rizvanolli duke shtuar se Ministria e Ekonomisë do të vazhdojë të punojë për sundimin e ligjit dhe shërbimin e barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.
Për mbylljen ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, e cila tha se pas kërkesës nga Ministria e Ekonomisë, ka asistuar në inspektimin dhe mbylljen e “kompanisë së ujësjellësit dhe mbeturinave e cila ka funksionuar nën juridiksionin e Serbisë”.
“Policia e Kosovës me njësitë relevante policore dhe në koordinim me autoritetet përkatëse, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në raport me aktivitetin e jashtëligjshëm të kësaj ndërmarrjeje”, thuhet në reagimin e Policisë.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se asnjë institucion paralel i Serbisë s’ka vend në Kosovë. “Asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës. Asnjë paralelizëm i institucioneve tona e nën direktivat e Beogradit brenda territorit të vendit tonë nuk do të funksionojë në asnjë formë”, ka shkruar ai në reagimin e tij.