MaqedoniTop Lajme

Ligji i medieve në Kuvend, Çadikovski propozon zbutjen e kushteve për portalet

Shpërndaje

Mediat online, apo të njohura ndryshe si portale pritet që së shpejti të përfshihen në rregullativën ligjore. Propozim ligji për këtë, i hartuar nga Ministria e Transformimit Digjital, tash më është në procedurë parlamentare dhe pas hyrjes së tij në fuqi, mediat online duhet të plotësojnë disa kushte që të njihen ligjërisht si media dhe të realizojnë të drejtat që kanë mediat e tjera. Ligji, mes tjerash parasheh formimin e një regjistri në kuadër të Agjencisëpër Shërbime Audio dhe Audiovizuele, ku mediat online duhet të paraqesin se kryejnë veprimtari mediatike, gjë që deri më tani, ka qenë e parashikuar vetëm për mediat tradicionale. Po ashtu mediat online, që të mund të përfshihen në regjistër, duhet të kenë seli dhe redaksinë e tyre në Maqedoninë e Veriut dhe të kenë një domen në Maqedoni.

Propozim ligji për media

“Organi rregullator kompetent nuk do ta fusë botuesin e portalit mediainternet online në Regjistrin e Botuesve të Mediave Online-Portale në internet nëse nuk ka të punësuar të paktën tre të punësuar me kohë të plotë, përkatësisht do të fshijë botuesin e portalit media-internet online nga Regjistri i Botuesve të Portaleve të Mediave Online-Internet 4 nëse nuk ka të punësuar në përputhje me nenin 15 paragrafi (3) nënparagrafi 4 të ligjit”.

Kryetari i Shoiqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Mlladen Çadikovski, tha për TV Shenja se, fryma e ligjit në thelb është e mirë dhe duhet të mbështet. Megjiahtë, ai propozon që të ndryshohen disa kushte restriktive të cilat vlejnë tash, pasi me to diskriminohen mediat më të vogla lokale.

Mlladen Çadikovski, Kryetar i SHGM-së

“Për shembull, ekziston dispozitë se mediat online duhet të kenë tre të punësuar në mënyrë që të mund të regjistrohen, ne mendojmë se, ky është faktor kufizues dhe kjo duhet të ulet sepse, në këtë mënyrë, ato media më të vogla të cilat janë jashtë Shkupit, do të thotë mediat lokale dhe rajonale vihen në një pozitë diskriminuese. Kemi marrë garanci edhe nga ministria edhe nga Qeveria se këto kushte do të zbuten, në mënyrë që të gjitha mediat e tjera profesionale që i plotësojnë kushtet e tjera të mund të përfshihen në ligj, me atë që do të bëheshin disa ndryshime që përpos pronësisë dhe redaktuesit, këto media duhet të kenë edhe nga një të punësuar”.

I pyetur nëse ky ligj mund të ndikojë në rritjen e cilësisë profesionale dhe uljen e lajmeve të rreme, Çadikovski tha se, kjo nënkupton se portalet që merren me lajme të tilla nuk do të ekzistojnë më, megjithatë kjo mundëson njohjen ligjore të portaleve që përmbushin kushtet për veprimtari mediatike.

Mlladen Çadikovski, Kryetar i SHGM-së

“Nuk mund të ketë rol kyç në uljen apo parandalimin e dezinformatave por mund të ketë rol kyç në njohjen e atyre portaleve që, megjithatë plotësojnë kushte të caktuara, që janë të njohura si media dhe ato do të jenë nën llupë edhe të opinionit edhe të komunitetit të gazetarëve që t’u përmbahen standardeve gazetareske për të cilat janë zotuar”.

Sa i përket rregullimit të reklamimit gjatë fushatave zgjedhore, Çadikovski tha propozim ligji në fjalë nuk përfshin këtë pjesë, megjithatë paraqet një hap drejt zgjidhjes së kësaj çështje./shenja