MaqedoniTop Lajme

Mickoski: Kufiri duhet të jetë ura jonë e përbashkët që lidh njerëz, mundësi dhe ide, starton “One Stop Shop” në pikën kufitare Bllacë e Poshtme – Hani i Elezit

Shpërndaje

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut sot mori pjesë në përurimin e “One Stop Shop” ne kufirin Bllacë – Hani i Elezit.

Fjalimi i tij:

I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,

Të nderuar ministra, drejtorë, përfaqësues të shërbimeve kufitare dhe doganore,

Të nderuar përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare,

Të dashur miq,

Për mua është nder i veçantë që sot, këtu, pikërisht në vetë kufirin, fillojmë të shkruajmë faqen e parë të një kapitulli të ri, modern dhe pragmatik të bashkëpunimit tonë të ndërsjellë.

Kjo nuk është vetëm modernizimi i një pike kufitare tonën!

Kjo është hapja e një perspektive të re!

Për qytetarët!

Për ekonominë!

Për rajonin.

Sot, simbolikisht por edhe në thelb, e zhvendosim kufirin ndërmjet problemeve dhe zgjidhjeve.

Ndërmjet ngecjes dhe lëvizjes.

Ndërmjet burokracisë dhe efikasitetit.

Kalimi i përbashkët, i organizuar sipas parimit “One Stop Shop”, do të thotë një ndalesë në vend të dy ndalesave, një vend për pritje në vend të humbjes së dyfishtë të kohës, një kontroll në vend të dy kontrolleve të ndara.

Për qytetarët, kjo do të thotë më shumë kohë për familjen, për punën, për jetën.

Sot, këtu, në mënyrën më të mirë tregojmë se kufiri nuk duhet të jetë mur.

Kufiri mund dhe duhet të jetë ura jonë e përbashkët.

Një urë që lidh njerëz, ide, mundësi.

Një urë përmes së cilës flitet për besim, bashkëpunim, shkëmbim ekonomik, zhvillim të kulturës dhe turizmit.

Një urë të cilën do ta kalojnë miliona qytetarë, por edhe miliona shpresa dhe plane.

Kjo iniciativë është dëshmi se kur ka vullnet të sinqertë politik, vizion të përbashkët dhe qasje pozitive, nuk ka sfidë që nuk mund të tejkalohet.

Ky kufi, që deri tani nënkuptonte pengesë, nga sot bëhet simbol i modernitetit, integrimit dhe pjekurisë rajonale.

Të dashur miq,

Ne nuk e ndërtojmë vetëm infrastrukturën e pikës kufitare, por ndërtojmë infrastrukturën e besimit të ndërsjellë.

Ndërtimi i respektit dhe partneritetit të ndërsjellë nuk ndodh brenda natës.

Megjithatë, çdo hap, çdo marrëveshje, çdo vendim i përbashkët na afron më shumë drejt vizionit për një rajon me dyer të hapura, stabilitet dhe përparim.

Nuk do të ketë më pritje me orë të tëra në kufi. Edhe puna edhe veprat që sjellin jetë më të mirë janë mënyra më e mirë për të gjithë qytetarët. Lidhja, puna dhe projekte si ky po, sjellin jetë më të mirë. Dhe ky është fokusi im personal dhe i Qeverisë së Maqedonisë.

Hapi i sotëm është më shumë se një politikë bilaterale – është pjesë e një fotografie më të madhe.

Një fotografi në të cilën i gjithë Ballkani Perëndimor lëviz në të njëjtin drejtim – drejt Bashkimit Evropian.

Kjo pikë e përbashkët kufitare nuk është vetëm kalim mes dy shteteve.

Është kalim drejt vlerave evropiane – bashkëpunimit, integrimit dhe lëvizjes së lirë.

Siç ka thënë arkitekti i madh i Evropës, Jean Monnet: “Ne nuk kemi bashkuar shtete, ne kemi bashkuar njerëz”.

Dhe pikërisht këtë po e bëjmë sot!

I bashkojmë njerëzit nga të dy anët e kufirit.

Pa e mohuar historinë, por duke ndërtuar të ardhmen.

Jo me fjalë boshe, por me projekte reale.

Jo për konfrontim, por për mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë.

Të nderuar miq,

Historia na ka mësuar shpesh nëpërmjet ndarjeve.

Sot, kemi vendosur të jemi gjenerata që mëson përmes lidhjeve.

Edhe dita e sotme do të mbetet e shënuar si dita kur vendosëm që e ardhmja të fillon këtu – me një pasaportë, me një ndalesë, në dy shtete që shikojnë në të njëjtin drejtim evropian.

Le të jetë ky kalim fillimi i projekteve edhe më të mëdha.

Mickoski: Kufiri duhet të jetë ura jonë e përbashkët që lidh njerëz, mundësi dhe ide, starton “One Stop Shop” në pikën kufitare Bllacë e Poshtme – Hani i Elezit