Osmani kujton masakrën e Polacit dhe Qabiqit
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka përkujtuar maskarën e Polacit dhe Qabiqit.
Osmani ka theksuar se në prillin e vitit 1999, Polaci dhe fshatrat përreth përjetuan njërën nga ofansivat më të egra të regjimit gjenocidal serb, ku brenda një jave, u vranë 78 civilë shqiptarë, burra, gra e fëmijë.
“Sot përulemi me nderim të thellë edhe para kujtimit të 8 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ranë në altarin e lirisë”, ka theksuar Osmani.
Presidentja ka shtuar se më 7 prill të atij viti, makineria vrastare serbe sulmoi edhe Qabiqin, ku ekzekutoi 10 civilë, në një tjetër krim që dëshmon përmasat e terrorit që ushtrohej mbi popullsinë shqiptare në atë kohë.
“Këto masakra nuk janë vetëm kujtime të dhimbshme, por pjesë e historisë sonë, e të vërtetës që nuk guxon të harrohet. Duke nderuar martirët dhe dëshmorët, ne kujtojmë sakrificën, mbrojmë të vërtetën dhe riafirmojmë përkushtimin tonë për drejtësi. Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës”, është shprehur Osmani.