MaqedoniTop Lajme

Prof.Dr. Bekim Fetaji zyrtarisht mori detyrën e rektorit të UNT-së

Shpërndaje

Shkup, 28.04.2025 – Me një ceremoni solemne, në prani të ministres të Arsimit dhe Shkencës znj. Vesna Janevska, studentëve, stafit akademik, zyrtarëve të lartë shtetërorë, përfaqësues të trupit diplomatik në vend, kryetarëve të komunave, si dhe figura të njohura nga bota e biznesit, sot në ambientet e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup u realizua pranim-dorëzimi i detyrës së rektorit aktual Prof.dr. Izet Zeqiri dhe rektorit të zgjedhur Prof.dr. Bekim Fetaji.

Detyrën e re, profesor Fetaji e mori zyrtarisht përmes dorëzimit të Insignias nga ana e rektorit aktual Zeqiri me ç’rast prezantoi planet e tij gjatë mandatit të rektorit të UNT-së.

Kryetari i Senatit, Prof. dr. Zoran Gacovski, në hapje të ceremonisë solemne, para të pranishmëve iu dëshiroi mirëseardhje të ngrohtë dhe theksoi rëndësinë e këtij momenti për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup. Ai vlerësoi kontributin e deritanishëm të menaxhmentit dhe uroi rektorin e ri, Prof. Dr. Bekim Fetaji, për një mandat të suksesshëm në drejtimin e universitetit, duke shprehur besimin se me punë dhe përkushtim do të arrihen objektiva të reja akademike dhe zhvillimore.

Prof. dr. Izet Zeqiri, në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi sfidat dhe arritjet gjatë mandatit të tij si rektor, duke nënvizuar transformimin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup nga kushte të vështira drejt ndërtimit të një kampusi modern. Ai theksoi realizimin e projekteve kapitale mbi 60 milionë euro, sigurimin e mbi 300 mijë eurove donacione, themelimin e tre fakulteteve të reja, rritjen e numrit të studentëve dhe të pagave të stafit akademik, si dhe krijimin e Zyrës së Cilësisë për zhvillim të qëndrueshëm.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, znj. Vesna Janevska, në fjalën e saj theksoi përkushtimin e Qeverisë për mbështetjen e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, duke theksuar investimin prej 34 milionë eurosh për ndërtimin e kampusit të ri modern. Ajo shtoi se synimi është krijimi i gjeneratave të reja të afta për të përballuar sfidat e së ardhmes dhe për të kontribuar në zhvillimin e shoqërisë.

Ministrja Janevska gjithashtu uroi për punë të suksesshme rektorit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. dr. Bekim Fetaji si dhe shprehi mirënjohje për angazhimin e deritanishëm të akademik Prof. dr. Izet Zeqiri.
Prof. dr. Bekim Fetaji, rektori i ri i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, theksoi gjatë fjalës së tij se do të angazhohet për avancimin akademik dhe shkencor të institucionit, duke promovuar vlerat e dijes, bashkëpunimit dhe përgjegjësisë shoqërore. Ai ftoi të gjithë komunitetin universitar që me përkushtim të kontribuojnë në ngritjen e mëtejshme të universitetit si një qendër e ekselencës akademike.

Me emërimin e Prof. dr. Bekim Fetajit, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup shënoi emërimin e rektorit të tretë me radhë që nga themelimi i këtij tempulli të arsimit të lartë, duke vazhduar misionin e zhvillimit akademik dhe përparimit institucional.

Ky eveniment i rëndësishëm u moderua nga profesoresha Genta Spahiu Mirzo dhe Donka Kaziovska, kuadër të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.