Shpërthim brenda Postës së Kosovës në Zveçan
Policia e Kosovës ka konfirmuar se një granatë dore ka shpërthyer brenda objektit të Postës së Kosovës në Zveçan pak pas mesnatës, teksa thotë se një tjetër “e kemi shpërthyer ne në mënyrë të kontrolluar”.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani njoftoi se nuk ka persona të lënduar, por se ka dëme materiale. Kryetari i Komunës të Zveçanit, Ilir Peci, tha se e dënon këtë sulm, për të cilin akuzoi një “grup terrorist” pa ia përmendur emrin.
Në një postim në Facebook, Policia e Kosovës tha se një ose disa persona të panjohur kanë hedhur granata dore dhe se njësia anti-terror është duke “punuar intensivisht për të zbuluar autorët e këtij shpërthimi”.
Për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit, që është udhëzuar ta inicojë rastin si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Në vitet e fundit, në veri të Kosovës janë regjistruar një sërë sulmesh të tilla.