Trampi e përsëriti deklaratën se do të ishte më mirë që SHBA-ja ta kontrollojë Gazën
Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se “kontrolli dhe pronësia” amerikane në Rripin e Gazës do të ishte punë e mirë, duke e përsëritur propozimin që ai e ka dhënë disa herë gjatë javëve të para të mandatit të tij të ri.
“Për të pasur një fuqi si SHBA-ja atje, e cila do të kontrollojë dhe posedojë Rripin e Gazës, do të ishte punë e mirë”, deklaroi Trampi para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë pas takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu.
Trampi tha se po bëhen përpjekje për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, por se lirimi i të gjitha pengjeve është proces i gjatë.
“Do të doja të shoh të ndalet lufta dhe mendoj se lufta do të ndalet në një moment të caktuar, ndërsa kjo nuk nuk do të jetë në një të ardhme të largët”, tha Trampi, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për premtimin e tij parazgjedhorë se do t’i japë fund luftës në Gazë.
Izraeli e filloi luftën pasi luftëtarët e udhëhequr nga Hamasi e sulmuan pjesën jugore të Izraelit më 7 tetor të vitit 2023. Që atëherë Izraeli ka vrarë më shumë se 50.000 palestinezë, tregojnë të dhënat e autoriteteve lokale shëndetësore.