RajoniTop Lajme

ZRRE konfirmon: Rriten për 16% tarifat e energjisë elektrike

Shpërndaje

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka konfirmuar se çmimi i energjisë elektrike është rritur mesatarisht për rreth 16% për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Edhe pse kjo nuk u bë e ditur qartë gjatë mbledhjes së Bordit të ZRRE-së, pavarësisht pyetjeve të shumta nga gazetarët, institucionit rregullator më pas publikoi një komunikatë për media, ku saktësohet se rritja mesatare e tarifave është përafërsisht 16%.

“Kërkesa/propozimi fillestar i KOSTT-it për të Hyrat e Lejuara Maksimale për OST/OT – ka qene 101.878 mil€ ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 88.198 mil€; Kërkesa/propozimi fillestar i KEDS-it për të Hyrat e Lejuara Maksimale për OSSH ka qenë 214.45 mil€ ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 180.653 mil€; Kërkesa/propozimi fillestar i KESCO-s për të Hyrat e Lejuara Maksimale për FSHU ka qene 447.626 mil€ ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 435.626 mil€, ku përfshihen operatorët e licencuar OSSH dhe OST/OT. Rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale është rreth 16%”, thuhet në komunikatën e ZRRE-së.

Në mbledhjen e Bordit, drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj, theksoi se gjatë gjithë procesit janë të detyruar të përcaktojnë tarifa që reflektojnë koston reale të shërbimit. Përsa i përket mbrojtjes së konsumatorëve të cenueshëm, ai theksoi se kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Financave, përkatësisht Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në përputhje me ligjin.

E shtrenjtimin e energjisë elektrike qytetarët e kanë kundërshtuar edhe sot përmes protestës në sheshin e kryeqytetit.

Ata kanë kërkuar që KEDS-i t’i kthehet popullit dhe faturat të mos u rriten.