Maqedoni

Aliu: Unë dhe Arben Fetai jemi në rrugë të drejtë, ASH duhet të qëndrojë në Qeveri

Shpërndaje

Ish ministri i shoqërisë informatike dhe administratës nga radhët e ASH-së, Azir Aliu, tha se Aleanca për Shqiptarët duhet të qëndrojë në Qeveri për përmbushur premtimet që i ka dhënë para qytetarëve në zgjedhjet e fundit.

“Unë personalisht, grupi dhe kolegu Arben Fetai kemi bërë analiza edhe të proceseve, edhe të politikave të brendshme dhe konsultime të shpeshta me indikator të ndryshëm matës edhe nga brenda edhe nga jashtë, ato që merren me politikë dhe ndjekin politikën. Në vazhdën e atyre takimeve, kanë qenë edhe takimet me ambasadat në ditët e fundit, që ishin takime me një pasqyrë vizuale për të përcjellur mesazhe në mënyrë direkte apo indirekte. Ato kanë qenë pikërisht ato indikatorët që unë mendoj se jemi në rrugë të drejtë dhe mendoj që në qeveri duhet të rrimë për të bërë ndryshimin, se në opozitë është shumë kollaj të shkosh dhe të flasësh për narrative të ndryshme pasi përgjegjësia është shumë e vogël. Por, ama në momentin kur t’i je gati një vit në qeveri dhe kur vjen momenti të japësh përgjegjësi për çka ke punuar, t’i thua tash do të dal të kritikoj qeverinë unë mendoj që nuk është në rregull”, tha Aliu në emisionin “Dialog te LAJMI” që transmetohet sonte ora 19:00 në të gjitha platformat online të gazetës Lajm.