Arben Fetahi largohet nga Taravari, mund të krijohet një ASH e 3 (VIDEO)
Arben Fetahi:
Të dashur miq, simpatizantë dhe ju anëtarë të pathyeshëm të Aleancës për Shqiptarët.
Këto ditë, kam pranuar qindra mesazhe, thirrje, porosi nga ju – nga baza, nga anëtarësia jonë dhe nga votuesit tanë.
Ndaj, sot ndjej obligim t’ju drejtohem me këtë mesazh.
Ne nuk jemi thjesht mbështetës të një partie.
Ne jemi gardianët e një kauze.
Të një ideali që nuk është shitur, dhe nuk është përkulur kurrë.
Ju që e keni rritur këtë Aleancë me mund, me përkushtim, edhe kur gjithçka ishte kundër nesh.
Ju që jeni përndjekur dhe diskriminuar për bindjet tuaja politike dhe nuk jeni dorëzuar për më shumë se 20 vite.
Ju që nuk e keni lejuar kurrë që Aleanca të bëhet vegël e interesave personale.
Dhe e keni mbrojtur rrugën e Arbnit si amanet.
Sot, bashkë, jemi në një udhëkryq historik.
Një vit më parë, morëm një vendim të guximshëm – t’i prijmë ndryshimit të shumëpritur, por assesi të vonuar.
Sot, gati një vit më vonë, kemi po të njëjtin guxim. Po të njëjtin vizion
Por sot, nuk mund të jetojmë në të kaluarën.
Duhet të ndërtojmë të ardhmen – me qëndrueshmëri, me dinjitet.
Anëtarësia po flet. Votuesit po flasin. Zëshëm, qartë, me kërkesë për drejtësi dhe për rrugë të pastër.
Dhe unë ju them sot, me bindje të plotë:Jam këtu, në krah të secilit prej jush që nuk e pranon poshtërimin e shpresës sonë.
Nuk do ta lejojmë BDI-në të kthehet si të mos ketë ndodhur asgjë.
Ata duhet të përballen me të vërtetat që i kanë shmangur për dy dekada me radhë.
Këtu nuk bëhet fjalë për individin. Këtu është në pyetje dinjiteti jonë kolektiv.
Zëri im është zëri juaj. Zëri i Aleancës që nuk dorëzohet. Që nuk shitet. Që nuk frikësohet.
Ne jemi zëri i rrugës së Arbnit.
Dhe ajo rrugë nuk kalon kurrë nga Ali Ahmeti, e as nga askush që nuk ia do të mirën shqiptarëve.
Ju faleminderit të gjithëve. Dhe qëndroni krenarë.