Arrestohet shtetasi turk në Tiranë, kërkohej nga Turqia për tentim-vrasje
Policia e Shtetit ka arrestuar një person, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar pasi i njëjti akuzohej nga autoritetet në Turqi, për disa vepra të rënda penale, ndër to tentativë vrasjeje, kapet në Tiranë, kreu i një organizate kriminale.
Arrestimi i të dyshuarit është bërë në Tiranë.
“Si rezultat i punës operacionale profesionale dhe të mirorganizuar të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 dhe specialistëve të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, si dhe i bashkëpunimit të ngushtë me homologët turq, u finalizua operacioni policor i koduar ‘Multiple’.
Gjatë operacionit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin në Turqi, shtetasi turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, U. O., 44 vjeç”, thuhet në njoftim.
Siç bëhet e ditur Prokuroria e Izmirit ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, mbi akuza për veprat penale: tentativë vrasjeje, krijim të organizatës kriminale për falsifikim të dokumenteve dhe heqje të paligjshme të lirisë.
Ndërkaq, Gjykata e Lartë e Karsiyakës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Sipas njoftimit të Policisë, Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Turqi, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 44-vjeçarit.