BE-ja dhe Britania e Madhe krijojnë partneritetin e mbrojtjes
Bashkimi Evropian (BE) përpara takimit të parë të samitit që do të zhvillojë me Britaninë e Madhe pas largimit të saj nga BE-ja, ka arritur marrëveshje e cila do të hapë rrugën që ky vend të mund të marrë pjesë në programet e mbrojtjes të Unionit, raporton Anadolu.
Një zyrtar i BE-së i dha informacion gazetarit të AA-së përpara samitit të parë që zhvillohet midis palëve që kur Britania doli nga BE-ja me Brexit-in.
“Kjo tregon se po hyjmë në një epokë të re në marrëdhëniet tona me Mbretërinë e Bashkuar”, tha zyrtari i cili e cilësoi Londrën si “një fqinje, aleate dhe partnere globale”.
Sipas tij, negociatat në procesin që çuan në samit kanë vazhduar deri në minutat e fundit. “Por, negociatat u zhvilluan gjithmonë me vullnet të mirë nga të dyja palët dhe rezultati ishte shumë pozitiv për të dyja palët. Asnjë nga vijat e kuqe të Britanisë apo BE-së nuk u shkel”, tha zyrtari.
“Po hapim një faqe të re. Po shkojmë drejt një partneriteti të ri strategjik”, tha zyrtari duke shtuar se do të krijohet “Partneritet për Sigurinë dhe Mbrojtjen” që hap rrugën e pjesëmarrjes së Britanisë në programet e mbrojtjes të BE-së.
Pasi u bë anëtare e BE-së në vitin 1973, Britania pas një procesi u largua zyrtarisht nga Unioni më 31 janar 2020. Pasi kryeministri britanik Keir Starmer mori detyrën e kryeministrit më 5 korrik 2024, marrëdhëniet Bruksel-Londër u përqendruan në një axhendë pozitive.
– Strategjia e BE-së për mbrojtjen
Në mars, BE-ja përcaktoi një strategji që përfshin elementë të tillë si rritjen e shpenzimeve, investimeve dhe prodhimit për mbrojtjen deri në vitin 2030, ndarjen e burimeve për projekte të përbashkëta mbrojtëse dhe që siguron 150 miliardë euro financim.
Përveç shteteve anëtare, në strategjinë e quajtur “SAFE” mund të marrin pjesë edhe vendet me të cilat BE-ja ka marrëveshje partneriteti në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. BE-ja ka nënshkruar marrëveshje partneriteti për siguri dhe mbrojtje me Norvegjinë, Moldavinë, Korenë e Jugut, Japoninë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.