BE premton 500 milionë euro fonde për të tërhequr shkencëtarët amerikanë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, premtoi sot fonde kërkimore me vlerë 500 milionë euro (566 milionë dollarë) – për të nxitur shkencëtarët të zhvendosen në Evropë.
“Ne duam që shkencëtarët, studiuesit, akademikët dhe punonjësit me aftësi të larta të zgjedhin Evropën”, tha Von der Leyen, duke folur në një aktivitet në Universitetin e Sorbonës, në Paris.
“Evropa ka gjithçka që nevojitet që shkenca të lulëzojë. Ne kemi investime të qëndrueshme. Ne kemi infrastrukturën. Ne kemi angazhimin për kërkime të hapura dhe bashkëpunuese”, shtoi ajo.
“Paketa e re e financimit për vitet 2025-2027 synon ta bëjë Evropën një magnet për studiuesit”, tha Von der Leyen.
Shkencëtarët që vendosen në Evropë do të marrin më shumë para dhe grante – me një fokus të veçantë te shkencëtarët e karrierës së hershme, dhe sjellja e rezultateve të kërkimeve në treg do të përshpejtohet.
Njoftimi vjen ndërsa institucionet kërkimore amerikane përballen me shkurtime buxhetore dhe të vendeve të punës.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka akuzuar universitetet elitare të vendit të tij se kanë ndjekur një ideologji të krahut të majtë duke lejuar antisemitizmin në kampus.
“Të gjithë mund të biem dakord që shkenca nuk ka pasaportë, nuk ka gjini, nuk ka etni, nuk ka parti politike”, tha Von der Leyen në fjalimin e saj.
“Roli i shkencës dhe investimeve në kërkimin themelor po vihet në pikëpyetje në botën e sotme”, tha ajo duke folur në prani të presidentit francez, Emmanuel Macron. “Çfarë gabimi gjigant”, theksoi Von der Leyen.