Mickoski nga Zhelina: Investojmë gjithkund në mënyrë të barabartë, vazhdojmë me realizimin e projekteve infrastrukturore
Një ngjarje shumë e bukur dhe një mundësi shumë e mirë.
Unë nuk kam çfarë të shtoj shumë nga ajo që thanë kryetari i komunës dhe ministri, më mbetet vetëm t’i uroj kryetarit të komunës për punën e përkushtuar dhe të fokusuar që po kryen. Të falënderoj secilin që e mbështet punën e kryetarit të komunës, sepse këto projekte janë dëshmi se ai po e kryen shkëlqyeshëm punën e tij si kryetar komune.
Gjithashtu dua ta falënderoj edhe ministrin, anëtarët e Qeverisë, deputetët në Kuvendin e Maqedonisë për mbështetjen që e japin për këtë program të Qeverisë që nënkupton realokimin e mjeteve nga buxheti qendror dhe fokusimin në projekte reale për qytetarët. Një nga ato projekte është ky ku po qëndrojmë sot, ministri tha se në thirrjen e dytë kemi më shumë se 2.5 milionë euro, projekte që do të financohen për Komunën e Zhelinës, ndërsa në thirrjen e parë ishin rreth 800.000 euro, që është gjithsej rreth 3.3 – 3.4 milionë euro drejtpërdrejt nga buxheti të cilat do të financojnë projekte në Komunën e Zhelinës.
Unë vetëm të uroj edhe më shumë projekte të tilla, sepse këto janë nevojat reale të qytetarëve, këto janë nevojat e ekonomisë maqedonase, natyrisht edhe të kompanive që i ndërtojnë këto projekte dhe detyra jonë si Qeveri është të sigurojmë kushte të barabarta dhe të drejta për zhvillimin e të gjitha pjesëve të territorit të shtetit, pa marrë parasysh nëse atje jetojnë maqedonas, shqiptarë, turq, romë, vllehë, serbë, boshnjakë apo të tjerë.
Nuk ka ndarje, zhvillohemi në mënyrë të barabartë kudo dhe do të investojmë gjithkund në mënyrë të barabartë. Derisa unë jam kryeministër, garantoj zhvillim të barabartë për çdo metër katror të territorit të Maqedonisë.