RajoniTop Lajme

Osmani në Dayton: NATO është garanci e paqes dhe e së ardhmes sonë

Shpërndaje

Presidentja Vjosa Osmani, në fjalimin e saj para Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka theksuar se aleanca euro-atlantike ka qenë dhe mbetet shtylla kurrizore e sigurisë kolektive dhe e shpresës për gjeneratat e ardhshme.

Duke kujtuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë më 1999 dhe vendosmërinë në Dejton më 1995, ajo tha se aleanca e ka përmbushur misionin e saj atëherë kur njerëzit përballeshin me orët më të errëta.

“Nga frika për të shkuar në shkollë te rinia që sot studion në universitetet më të mira në botë; nga prindërit e përzënë nga puna te gjyshërit krenarë që shohin një brez të ri të begatë; nga rrugët e rrezikshme për jetë te qytetet e mbushura me muzikë, art dhe jetë kulturore”, theksoi Osmani, teksa foli për rezultatin e ndërhyrjes së NATO-s, në Kosovë.

Duke shprehur vendosmërinë e Kosovës për të kontribuar në sigurinë euro-atlantike, Osmani ka theksuar se Kosova tashmë ka ndarë 2% të GDP-së për mbrojtje, me synimin për ta dyfishuar këtë në vitet e ardhshme.

“Ne jemi gati të bëjmë pjesën tonë. Tani është radha e NATO-s, t’i hapë dyert”, ka deklaruar Osmani.