OVL e UÇK-së: Vizita e kryetares së Gjykatës Speciale, hipokrizi e pastër
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve kanë reaguar ndaj vizitës së paralajmëruar të kryetares së Trupit Gjykues të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në Kosovë.
Këto organizata e kanë cilësuar vizitën si të papranueshme dhe si një fyerje të rëndë për të gjithë ata që kanë sakrifikuar për lirinë e vendit.
Sipas reagimit zyrtar të përbashkët, vizita e Trendafilovës, e planifikuar të mbahet në fshehtësi të plotë, pa praninë e qytetarëve dhe pa mbulim mediatik, është një përpjekje për të shmangur llogaridhënien dhe për të avancuar, siç thuhet, një agjendë politike të njëanshme.
“Vizita e paralajmëruar e Kryetares së Trupit Gjykues të Gjykatës Speciale, znj. Ekaterina Trendafilova, në Kosovë është jo vetëm e papranueshme, por edhe një fyerje e rëndë ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e këtij vendi. E paralajmëruar të mbahet nën një perde të trashë të fshehtësisë, pa praninë e qytetarëve dhe kamerave, kjo vizitë nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë apo transparencën, përkundrazi, është përpjekje për të ikur nga llogaridhënia dhe për të vazhduar një agjendë të njëanshme politike”, thuhet në reagim.
Organizatat akuzojnë Gjykatën Speciale për heshtje të plotë ndaj krimeve serbe të kryera ndaj civilëve shqiptarë dhe e konsiderojnë ardhjen e kryegjyqtares në Kosovë si “hipokrizi të pastër”, duke shtuar se ajo nuk guxon të përballet me opinionin publik.
“Kjo qasje arrogante dhe fyese nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i padrejtësisë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë. E njëjta gjykatë që heshti për krimet serbe mbi civilët shqiptarë, sot vjen në Kosovë si ‘autoritet drejtësie’, por nuk ka guxim të përballet me opinionin publik. Kjo është hipokrizi e pastër!
Ne, OVL, SHIL dhe SHFD, ritheksojmë kundërshtimin tonë të plotë dhe të palëkundur ndaj kësaj vizite. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të mos bëhen pjesë e kësaj fasade, dhe i ftojmë të gjithë qytetarët, shoqatat e dala nga lufta dhe mediat e pavarura, të qëndrojnë në krah të së vërtetës dhe sakrificës sonë të përbashkët.
Historia nuk fshihet me dyer të mbyllura, poashtu as e vërteta nuk trembet nga sytë e publikut”, thuhet më tej në reagim.