Shqipëria dhe Italia për herë të parë në një samit ndërqeveritar
Shqipëria dhe Italia do të zhvillojnë për herë të parë një samit ndërqeveritar, dakordësi e arritur në Tiranë, gjatë takimit që kryeministri Edi Rama ka pasur me homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian.
Në deklaratën e përbashkët të rastit, publikuar në faqen zyrtare të qeverisë italiane theksohet se ky samit do të jetë një mundësi në funksion të forcimit të partneritetit strategjik.
Më poshtë deklarata e përbashkët:
DEKLARATË E PËRBASHKËT NË PRAG TË SAMITIT TË PARË BILATERAL ITALI-SHQIPËRI
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni dhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, u takuan më 16 maj 2025, në Tiranë, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian duke riafirmuar interesin e fortë të ndërsjellë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe në perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Për këtë qëllim dhe në kontekstin e marrëdhënieve të privilegjuara midis Romës dhe Tiranës, të Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit të 13 tetorit 1995, të Deklaratës së Partneritetit Strategjik të 12 shkurtit 2010 dhe të Protokollit për forcimin e bashkëpunimit në çështjet e migracionit të 6 nëntorit 2023, u ra dakord që brenda vitit të mblidhet Samiti i parë Ndërqeveritar Itali-Shqipëri.
Ky Samit do të shërbejë si mundësi për të bërë një bilanc të bashkëpunimit dypalësh dhe për të rënë dakord për nisma të mëtejshme në funksion të forcimit të partneritetit strategjik midis Romës dhe Tiranës, duke identifikuar disa fusha kyçe, përfshirë mbrojtjen dhe sigurinë, energjetikën, migracionin, mbrojtjen civile, shëndetësinë, mjedisin, zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor, me një fokus të veçantë tek formimi profesional në secilën nga këto fusha bashkëpunimi.
Takimi i sotëm shërbeu gjithashtu për të identifikuar fusha specifike ku do të përqendrohet puna përgatitore në prag të Samitit ndërqeveritar:
▪ Industria e Mbrojtjes: Në kuadër të Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e Mbrojtjes të 10 tetorit 1995 dhe Memorandumit të Mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes të 18 shtatorit 2009, do të forcohet bashkëpunimi për furnizimin me mjete dhe teknologji në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe për ndërtimin dhe menaxhimin e infrastrukturave detare dhe të kantiereve detare në Shqipëri, për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e njësive detare dhe për zbatimin e nismave të formimit teknik dhe profesional;
▪ Energjetika: Zgjerimi i bashkëpunimit në fushën energjetike, mbi bazën e marrëveshjes tripalëshe Itali–EBA–Shqipëri, të nënshkruar në Abu Dabi, më 15 janar 2025, e cila parashikon prodhimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe ndërtimin e një lidhjeje detare për energjinë e rinovueshme midis Italisë dhe Shqipërisë;
▪ Bashkëpunimi në fushën e migracionit: Krijimi i një grupi pune të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe forcimin e kapaciteteve shqiptare të patrullimit detar;
▪ Mbrojtja civile: Arritja e një marrëveshjeje për krijimin e një Sistemi të Mbrojtjes Civile në Shqipëri me qëllim transferimin e dijes profesionale;
▪ Shëndetësia: Forcimi i bashkëpunimit në fushën e shëndetit amësor dhe neonatal në Shqipëri, për ndërtimin e një reparti neonatologjie pranë spitalit publik “Gliozheni” në Tiranë;
Zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor:
-Arritja e një Marrëveshjeje Kuadër për njohjen formale të “Cassa Depositi e Prestiti” në Shqipëri si një institucion financiar për zhvillimin, funksional për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fushën ekonomike dhe infrastrukturore, duke përfshirë edhe mbështetjen teknike italiane për krijimin e Bankës së re të Zhvillimit të Shqipërisë;
-Arritja e një marrëveshjeje për ndërtimin e përbashkët të një qendre panairi në Tiranë, e quajtur “ExpoAlbania”;
-Krijimi i instrumenteve ligjore dhe teknike për forcimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë detare dhe zhvillimin e projekteve të lidhura me industrinë e peshkimit në Shqipëri;
-Thellimi i bashkëpunimit mes “Simest” dhe Këshillit Ekonomik Kombëtar të Shqipërisë përmes nismave formuese dhe mbështetëse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme italiane dhe shqiptare mbi mundësitë në tregjet respektive, duke nxitur partneritetet dhe investimet.
Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian:
Italia dhe Shqipëria do të përcaktojnë në mënyrë të përbashkët fusha specifike me vlerë të lartë të shtuar për të mbështetur procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, në kuadër të asistencës teknike para anëtarësimit, që tashmë është në zbatim.
Duke i hapur rrugë konsultimeve teknike që do të çojnë në përcaktimin e detajuar të objektivave, përmbajtjes dhe formatit të Samitit dypalësh që është objekt i kësaj Deklarate, kryeministrat e Italisë dhe Shqipërisë kujtuan me kënaqësi nisjen në Shqipëri të edicionit të 108-të të ”Giro d’Italia”, më 9 maj në Durrës, si dëshmi e lidhjes së fortë mes dy vendeve, e cila shtrihet edhe në diplomacinë sportive si mjet bashkëpunimi dhe rritjeje të përbashkët