Sot biseda Trump – Putin? Presidentit amerikan po i humb durimi, do të telefonojë edhe Zelenskyn!
Në mesin e raporteve se durimi i tij po soset, presidenti amerikan Donald Trump, pritet të bisedojë sot me liderin rus, Vladimir Putin, në kuadrin e një nisme të re nga Shtëpia e Bardhë që synon çimentimin e një armëpushimi në luftën në Ukrainë.
Po sot, Trumpi është parashikuar të zhvillojë edhe një tjetër bisedë telefonike, me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Steve Witkoff, i dërguar i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, i cili është takuar tashmë tre herë me Putinin, parashikon që biseda me Putinin t’i “kontribuojë identifikimit të fazës në të cilën ndodhen aktualisht, dhe rrugët si mund t’i përmbyllen këto negociata”.
“Ata e njohin njëri-tjetrin. Presidenti është i vendosur të bëjë diçka këtu… Nëse ai s’mund të bëjë gjë, askush s’mundet”, tha më herët Witkoff në një intervistë për ABC News.
Trump i kishte paralajmëruarkëto telefonata pasi negociatorët rusë dhe ata ukrainas u takuan në Stamboll për bisedime të drejtpërdrejta, të parët që prej negociatave fillestare që javëve të para të konfliktit në 2022-shin. “Tema të telefonatave do të jenë ndalimi i kasaphanës’”, ishte mesazhi i Trump në mediat sociale.
“Shpresoj se do të jetë një ditë produktive, se do të ketë armëpushim, dhe se kjo luftë shumë e dhunshme, që s’duhej të kishte nisur kurrë, do të marrë fund”, shtoi presidenti amerikan. Takimet në Stamboll, të cilat përfshinë edhe bisedime të ndara me zyrtarë të SHBA-së, prodhuan vetëm rezultate modeste, përfshirë një marrëveshje për shkëmbimin e 1.000 të burgosurve të luftës, ndërsa nuk pati zotim për ndërprerje të luftimeve.