RajoniTop Lajme

Sveçla: Serbia bën spastrim etnik ndaj shqiptarëve në Luginë

Shpërndaje

Deputeti i VV-së, Xhelal Sveçla ka publikuar një reagim të fortë kundër politikave diskriminuese të Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se Serbia po ushtron një spastrim etnik ndaj këtij komuniteti, shkruan ALBAZONE MEDIA.

Ai ka theksuar përkushtimin e Policisë së Kosovës për integrimin e komuniteteve në radhët e saj, duke treguar se 10% e efektivëve janë pjesë e komuniteteve pakicë dhe mbi 50% prej tyre janë serbë.

Në tri rekrutimet e fundit të dedikuara për komunitetet, janë pranuar 210 pjesëtarë të rinj nga komuniteti serb. Ndërkaq, Sveçla ka dënuar mungesën e shqiptarëve në Policinë e Serbisë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ku në konkurset e fundit nuk është pranuar asnjë shqiptar.

Ai theksoi: “Serbia po ushtron diskriminim sistematik dhe spastrim etnik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës duke u mohuar atyre të drejtat elementare.”

Në fund, Sveçla bëri thirrje për ndërhyrje urgjente nga komuniteti ndërkombëtar për të ndalur këto praktika.

“Ky diskriminim duhet të ndalet menjëherë dhe të marrë dënimin e merituar nga faktori ndërkombëtar.”