Takimi Osmani-Merz, gazetari i medias gjermane me mesazh të fortë – ja çka duhet të bëj tani Kosova!
Së fundi, Presidentja Vjosa Osmani u takua me kancelarin gjerman Friedrich Merz në margjina të Samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.
E para e vendit tonë në një postim në rrjetin X ka shkruar se pret thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen ndërmjet dy shteteve mike.
E në lidhje me atë se ccka duhet pritet nga raportet mes dy vendeve, pas ardhjes në pushtet të Merz, tregoi gazetari i medias gjermane, DeustcheWelle, Bahri Cani.
Ai në një postim në Facebook theksoi se shtet gjerman ka qenë dhe mbetet një prej mbështetëseve më të fuqishme të Kosovës.
Cani e cilësoi si shumë të rëndësishëm në këtë aspekt, takimin e fundit Osmani-Merz.
“Por vetëm presidentja nuk mjafton: Kosova tani duhet të krijojë sa më parë që është e mundur institucionet e veta dhe t’i qaset me plot seriozitet rindërtimit të raporteve të mira me të gjitha vendet mike, por edhe me ato që akoma nuk e kanë njohur Kosovën”, shkroi Cani, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë:
Çfarë pritni në raportet Gjermani-Kosovë nën kancelarin Merz?
Gjermania ka qenë dhe mbetet një prej mbështetëseve më të fuqishme të Kosovës. Për herë të parë avionët gjermanë jashtë vendit (pas Luftës së Dytë Botërore) kanë marrë pjesë në misionin ushtarak kundër forcave serbe për çlirimin e Kosovës.
Në kohën e ish-kancelares Merkel ka pasur ndoshta pak si tepër balancime në raport me Vuçiqin. Ndërsa ish-kancelari Scholz ishte i pari që e tha shumë hapur, në konferencën për shtyp në Prishtinë por edhe gjatë qëndrimit në Beograd, se Serbia duhet ta njohë Kosovën, nëse shpreson të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Ka dhe të tillë që thonë se Scholz u afrua tepër me Vuçiqin për shkak të litiumit, por raporti i tij ndaj Kosovës dhe raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë shumë i qartë.
Tani Gjermania ka një kancelar të ri, Friedrich Merz nga CDU. Nga kancelari Merz pritet nga shtetasit e Kosovës një mbështetje e fuqishme në veçanti sa i përket përmbylljes së kapitullit të pafund të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, dhe afrimit e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Ndaj edhe takimi i presidentes Vjosa Osmani-Sadriu në Tiranë me kancelarin Merz, një bisedë e shkurtër por e përzemërt, është shumë me rëndësi.
Vetë presidentja shkruan se biseda me kancelarin Friedrich Merz ishte shumë me rëndësi. Përmes një postimi në rrjetin social X, Osmani nënvizoi rëndësinë e mbështetjes që Gjermania i ka dhënë Kosovës ndër vite.
“Gjermania ka qenë gjithmonë pranë Kosovës, si mike, partnere dhe aleate e qëndrueshme”, shkruan Osmani-Sadriu.
Presidentja shpreson se me kancelarin Merz do të thellohet edhe më shumë bashkëpunimi dypalësh. Ajo shpreh gatishmërinë për të punuar bashkë drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane.
Por vetëm presidentja nuk mjafton: Kosova tani duhet të krijojë sa më parë që është e mundur institucionet e veta dhe t’i qaset me plot seriozitet rindërtimit të raporteve të mira me të gjitha vendet mike, por edhe me ato që akoma nuk e kanë njohur Kosovën.
E Gjermania, krahas SHBA, mund të luajë vërtet një rol të rëndësishëm në afrimin e saj me BE dhe organizatat ndërkombëtare.
Në Gjermani dhe BE besohet se me kancelarin e ri Merz, Gjermania do të jetë shumë më aktive në shumë fusha, duke filluar nga mbrojtja, zhvillimi ekonomik dhe në përgjithësi raportet ndërkombëtare.