Zelensky: Do ta pres Putinin në Turqi të enjten, s’ka më justifikime
Volodymyr Zelensky pranon sfidën e Vladimir Putinit. “Do ta pres personalisht Putinin në Turqi të enjten”, njoftoi ai, duke iu përgjigjur propozimit surprizë të bërë një natë më parë nga shefi i Kremlinit për negociata të drejtpërdrejta në Stamboll midis Moskës dhe Kievit më 15 maj.
Presidenti ukrainas pranoi kështu ftesën e Donald Trump, i cili u kërkoi ukrainasve të shkonin të shihnin kartat e Rusisë. Ndryshimi në qëndrimet e Kievit dhe SHBA-së ka të bëjë me mundësinë e fillimit të negociatave pa arritur më parë armëpushimin “pa kushte” 30-ditor të kërkuar dje nga ukrainasit dhe udhëheqësit e Vullnetarëve – Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe Polonia – gjatë një takimi në Ukrainë.
“Ne presim me padurim një armëpushim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, duke filluar nga nesër, për të siguruar bazën e nevojshme për diplomaci. Shpresoj që këtë herë rusët të mos kërkojnë justifikime”, shkroi Zelensky në X.
Nga ana tjetër presidenti amerikan shkroi në rrjetin e tij social “Truth”, se ishte i bindur që “Putini nuk dëshiron një armëpushim”, por Ukraina, “duhet ta pranojë menjëherë”. Në këtë mënyrë, thotë kreu i Shtëpisë së Bardhë, do të jetë e mundur të shihet “nëse një marrëveshje është e mundur”. Dhe “nëse nuk është kështu, udhëheqësit evropianë dhe Shtetet e Bashkuara do ta dinë se çfarë po ndodh dhe do të jenë në gjendje të vazhdojnë”.
Propozimi për negociata të drejtpërdrejta u vu në tryezë nga Putini në një takim me gazetarët në orën 2:00 të mëngjesit të dielën, pas përfundimit të disa takimeve me delegacionet që kishin mbërritur në Moskë për Paradën e Fitores. Por mbi të gjitha pas kontakteve të ashpra diplomatike të Moskës me Ankaranë.