RajoniTop Lajme

Ambasada amerikane: “Defender Europe 25” dëshmon forcën e partneritetit SHBA-Kosovë

Shpërndaje

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka deklaruar se ushtrimi shumëkombësh “Defender Europe 25”, që po zhvillohet në territorin e Kosovës, përfaqëson një dëshmi të qartë të partneritetit të fuqishëm ndërmjet SHBA-së, Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe aleatëve të NATO-s.

Në një reagim zyrtar, ambasada ka theksuar se ky ushtrim i përmasave të mëdha jo vetëm që tregon përgatitjen dhe kapacitetet e përbashkëta ushtarake, por edhe aftësinë e Ushtrisë Amerikane për të reaguar shpejt dhe efektivisht së bashku me aleatët e saj, nga Arktiku deri në Mesdhe dhe Detin e Zi.

“‘Defender 25’ reflekton përkushtimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s dhe fuqinë e bashkëpunimit me partnerët. Mbi 960 trupa të FSK-së po marrin pjesë përkrah forcave amerikane dhe të vendeve partnere në ushtrime të përbashkëta në mbarë Evropën, duke nënvizuar rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Kosovës në arkitekturën e sigurisë rajonale dhe globale”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Gjatë Ditës së Vizitorëve të Shquar, të mbajtur në Babaj të Bokës si pjesë e këtij ushtrimi ndërkombëtar, mori pjesë edhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati. Ajo theksoi rëndësinë e këtij momenti për marrëdhëniet dypalëshe dhe për rritjen e bashkëpunimit ushtarak.

“Për herë të parë, Kosova është nikoqire e një selie komanduese në nivel divizioni, me 180 pjesëtarë të Divizionit të 28-të të Këmbësorisë, nga Garda Kombëtare e Ushtrisë së Pensilvanisë, të cilët po udhëheqin katër brigada shumëkombëshe”, thuhet më tej në deklaratën e ambasadës.

Ky zhvillim cilësohet si historik dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në rrugën e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike, duke forcuar sigurinë kolektive dhe partneritetin strategjik me SHBA-në dhe NATO-s.