BDI: Mickoski premtoi “t’u tregojë vendin shqiptarëve” me regjistrim të popullsisë, VLEN po e ndihmon
BDI e akuzon VLEN-in dhe segmentet e qeverisë së re se po legjitimojnë dhe zbatojnë një politikë nacionaliste antishqiptare të udhëhequr nga VMRO dhe Mickoski. Sipas BDI-së, përmes institucioneve të kapura, po tentohet rrënimi i barazisë etnike, heqja e gjuhës shqipe nga institucionet, dhe përjashtimi i shqiptarëve nga pozitat kyçe. VLEN-i, sipas tyre, po e kamuflon këtë proces duke krijuar një fasadë të rreme të një qeverie multietnike.
“Që në vitin 2022, lideri i opozitës, Hristijan Mickoski, refuzoi publikisht t’i pranojë rezultatet e regjistrimit të popullsisë, duke aluduar veçanërisht në faktin se shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë së përgjithshme. Ai atëherë premtoi se, sapo të vinte në pushtet, do të organizonte një “regjistrim elektronik” për të “korrigjuar” rezultatet. Kjo nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një sërë premtimesh nacionaliste të përmbledhura nën sloganin “t’iu tregohet vendi shqiptarëve”. Prandaj nuk na befasojnë as hapat e këtij segmenti të qeverisë, e as institucionet që ata kanë arritur t’i kapin, siç janë Gjykata Kushtetuese, Prokuroria Publike etj. Secila prej tyre po punon aktivisht për zbatimin e programit elektoral të VMRO-së dhe premtimeve të Mickoskit: përmes shfuqizimit të Balancuesit, rrënimit të mekanizmave kundër majorizimit, heqjes së gjuhës shqipe nga institucionet, si dhe përjashtimit të shqiptarëve nga pozitat e larta në administratë, në shërbimet e sigurisë, në mbrojtje, etj”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Por ajo që është vërtet tronditëse, sipas BDI-së, është se “mbetjet e VLEN-it brenda kësaj qeverie, përmes avokatisë shokuese, po e legjitimojnë dhe po e verifikojnë këtë politikë të pushtetit”.
“Të shantazhuar dhe të kapur, ata krijojnë përshtypjen e rreme se qeveria është multietnike dhe se brenda saj dikush po i mbron interesat e shqiptarëve.
Shqiptarët nuk janë naivë dhe nuk do të pranojnë kurrë të bëhen subjekt i një “inxhinieringu digjital” nga ana e pushtetit, pa marrë parasysh që në këtë operacion po marrin pjesë aktive edhe shqiptarët e VLEN-it. Keto perpjekje nuk do te kalojne. Për kete i sigurojme edhe shqiptaret por edhe ata qe jane duke i bere keto perpjekje te rrezikshme per ardhmërinë e shtetit”, thonë nga BDI.