MaqedoniTop Lajme

Blerim Bexheti hedh poshtë zërat për pakënaqësi në BDI: Ali Ahmeti, busulla politike e shqiptarëve

Shpërndaje

Deputeti dhe funksionar i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Blerim Bexheti, ka reaguar ndaj zërave për gjoja pakënaqësi brenda strukturave të partisë në Saraj, transmeton Flaka. Në një deklaratë të qartë, ai thekson rolin qendror dhe të pazëvendësueshëm të kryetarit Ali Ahmeti në drejtimin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Ali Ahmeti është themeluesi i vizionit politik shqiptar në Maqedoni. Në çdo periudhë vendimtare, ai është ai që udhëheq, udhëzon dhe vendos,” shprehet Bexheti.

Ai thekson se çdo vendim strategjik, politik apo kadrovik brenda BDI-së është i pandashëm nga vizioni i liderit historik të partisë.

“Ali Ahmeti nuk është thjesht lider. Ai është busulla politike e shqiptarëve dhe garancia e qëndrueshmërisë sonë. Ai nuk ndjek zhvillimet, ai u prin atyre,” përfundon Bexheti.

Kjo deklaratë vjen në kohë kur disa media dhe portale kanë përhapur spekulime për tensione të brendshme në BDI, të cilat Bexheti i ka cilësuar të pavërteta dhe të motivuara politikisht.