RajoniTop Lajme

Dështon gjyqi ndaj Berishës, shtyhet seanca!

Shpërndaje

Dështon gjyqi i Sali Berishës. Në seancën e pare ish kryeministri i vendit, nuk është prezent, por u përfaqësua nga avokatët e tij, Genc Gjokutaj e Sokol Mëngjesi.

I pandehur në këtë proces është edhe dhëndri i liderit të opozitës Jamarbër Malltezi.

Si arsye për shtyrjen e seancës shërbeu mosmarrja dijeni e kreut të partisë demokratike. Brenda gjykatës, Malltezi tha se fletëthirrjen e kishte firmosur ai, por pranoi se nuk e kishte njoftuar ish- kryeministrin.

“Njoftimi për z. Berisha ka ardhur të premten dhe ne shikojmë që në këtë moment shteti bën farsë – politika e kishte njoftimin që para dy javësh, por zgjodhi ta bëjë të premten.Policia ka gënjyer dhe ka sjellë vetëm 3 ditë para. Sipas Kodit të Procedurës, duhet ta sillte 10 ditë para”, tha Malltezi.

Po ashtu Malltezi deklaroi se përgjatë shqyrtimit gjyqësor do të kërkojë si dëshmitar edhe Kryeminstrin, Edi Rama. Sipas tij procesi është i motivuar politikisht.

Në bashkëpunim Berisha dhe Malltezi akuzohen për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij edhe për pastrim parash me privatizimin e ambjenteve të ish kompleksit sportiv, Partizani.

Bashkëpunëtorë në krim, SPAK pretendon se janë edhe, ndërtuesi Fatmir Bektashi që akuzohet për Korrupsion aktiv dhe Pastrim i produkteve të veprës penale.

Për veprën e fundit penale akuzohen edhe Xhimi Begeja dhe noterja Andia Pustina.