Erdogan propozon takim Putin-Zelensky në Turqi, me pjesëmarrjen e Trump
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Turqia do të ndërmarrë hapa për të sjellë së bashku liderët e Rusisë dhe Ukrainës për bisedime në kryeqytetin Ankara ose në Stamboll.
“Dëshira ime është të sjell bashkë Putinin dhe Zelensky-n në Stamboll ose Ankara. Gjithashtu të ftoj edhe Trump në këtë takim… Do të ndërmarrim hapa për këtë takim pas bisedimeve të fundit,” është shprehur Erdogan sipas mediave të huaja, duke sinjalizuar kështu një përpjekje të re diplomatike për të çuar konfliktin drejt zgjidhjes politike.
Deklarata e tij vjen menjëherë pas raundit të dytë të bisedimeve direkte mes delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë që u mbajtën në Stamboll, ku edhe pse palët nuk arritën një marrëveshje për armëpushim të plotë, ato ranë dakord për një shkëmbim të ushtarëve të plagosur rëndë dhe atyre nën moshën 25 vjeç, si dhe për kthimin e eshtrave të rreth 6,000 ushtarëve.
Poashtu u bë e ditur se Rusia ka propozuar një armëpushim të pjesshëm prej dy deri në tre ditë, ndërsa Ukraina këmbëngul për një armëpushim të plotë dhe pa kushte. Ukraina gjithashtu ka propozuar një raund të tretë të negociatave mes 20 dhe 30 qershorit, duke shpresuar për një takim të drejtpërdrejtë mes presidentit Volodymyr Zelensky dhe presidentit rus Vladimir Putin.