MaqedoniTop Lajme

Janevska: Ekipi i MASH-it, nesër në Nerovë

Shpërndaje

Ministria e Arsimit nuk ka një vendim konkret se cila do të jetë zgjidhja për rastin e Nerovës. Ministrja Vesna Janevska përsëriti se është ndërtimi i objektit të ri shkollor është bërë në mënyrë joligjore duke shtuar se do të shqyrtoj mundësinë për të rikonstruar objektin ekzistues ku tashmë ndjekin mësimin mbi 120 nxënës. Janevska tha se të martën një ekip i dikasterit të saj do të vizitojë këtë fshat për të parë nga afër gjendjen e objektit ekzistues dhe nëse i njëjti mund të rikonstruohet. Janevska tha se tashmë ka nisur komunikimin me shkrim me drejtuesit të Komunës së Krushevës por deri në këto momente nuk ka marr një përgjigje kthyese.

“Objekti I ri shkollor është ndërtim pa leje. Nuk e dimë nëse është ndërtuar sipas standardeve, nuk e dimë çfarë materiale janë përdorur dhe ky do të jetë një problem serioz. Ajo që mund të bëjë Ministria e Arsimit është të kryejë këtë inspektim të shkollës së vjetër dhe të marrë të gjitha masat për një infrastrukturë të bukur në të cilën do të mësonin nxënësit e ardhshëm, brezat e ardhshëm, domethënë, nëse është i nevojshëm rindërtimi i asaj shkolle, ajo do të bëhet”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Ndërkohë, kryetari i Krushevës Toni Hristoski demanton ministren e Arsimit, Vesna Janevska duke shtuar se nuk ka nisur asnjë lloj komunikimi për rastin e shkollës në Nerovë. Madje, Hristoski kujtoi Janevskën se edhe objekti ekzistues i shkollës ka status ilegal.

Mbi 120 fëmijët e shkollës fillore “Nikolla Karev” të fshatit Nerovë të Komunës së Krushevës bojkotuan mësimin për rreth dy javë për shkak të kushteve të papërshtatshme për mësim dhe kërkesës së prindërve për legalizim të objektit të ri shkollor të ndërtuar nga banorët e fshatit.